Kush është Nevaldo Hajdëraj, polici pa të mesme që vrau Klodian Rashën

0

Në televizionin kombëtar “Top Channel”, gjatë transmetimit të emisionit “Shqipëria Live” është hedhur dritë mbi personalitetin e Nevaldo Hajdëraj, efektivi i policisë që vrau 25-vjeçarin Klodian Rashën.

Ledion Muçaraku, është i njohuri i Nevaldo Hajdëraj, që ka qenë ish i dënuar për ngritjen e skemave piramidale. Ledion Muçaraku është shprehur se efektivi i policisë ka punuar më parë punonte si kamarier në lokalet e Tiranës, periudhë në të cilën dhe është njohur me të.
Sipas Ledion Muçarakut, Nevaldo ishte shprehur se do të bëhej polic sapo Partia Socialiste të vinte në pushtet, ndonëse ende nuk kishte mbaruar shkollën e mesme.

“Shoqëria jonë ka qenë e afërt. Kemi qenë të afërt se na lidhte puna. Kur e kam njohur unë në periudhën 2011, 2012, 2013, ai çuditërisht doli që kishte mbaruar gjimnazin. Unë e ngacmoja: Nevaldo, ça polici do bëhesh ti? “Mirë, mirë më thoshte, sa të vijë Partia Socialiste në pushtet, do ta shohësh ti bëhem apo nuk bëhem.” tha Muçaraku.

Muçaraku tregoi se Nevaldo Hajdëraj kishte qenë një nga klientët e tij, që merrte para me fajde, gjatë kohës kur punonte kamarier apo banakier në Tiranë. Kjo u konfirmua edhe nga avokati i Nevaldo Hajdërajt, që ishte prezent në studio.

Kur u pyet se përse i merrte paratë me fajde Nevaldo, Muçaraku tha: Me sa jam informuar unë… kush është ai që nuk loz lloto? Kush është ai që nuk loz kazino? Ai ndonjëherë binte brenda se rroga mund të merrej në fund të muajit. Me sa jam informuar nëpërmjet shokut që “ai i prishi lekët Ledion” dhe unë i thoja “do japësh 150 dhe do t’i merrja 190”.

Një tjetër detaj që u la të kuptohej nga Ledion Muçaraku, ishte marrëdhënia e Nevaldo Hajdërajt me konsumin e lëndëve narkotike. Ai nuk e pohoi këtë fakt, por kur u pyet nga drejtuesi i emisionit nëse Hajdëraj konsumonte drogë, ai u shpreh: Tashti kush është në Shqipëri që nuk e ka konsumuar të shkretën?

Me gjithë insistimin e moderatorëve të emisionit, për t’ia nxjerrë këtë pohim, përgjigjet e Muçarakut ishin pak a shumë të njëjtat: “Kush është në Shqipëri, më thoni një, që nuk e ka konsumuar të shkretin ilaç?” I pyetur nëse e ka parë me sytë e tij Nevaldo Hajdërajn duke konsumuar drogë, Ledion Muçaraku u shpreh: “Për këtë rezervohem të nderuar, nuk do të thosha gjë” .

Përshkrimi i Nevaldo Hajdërajt nga i njohuri i tij Ledion Muçaraku, tregon shumë për policin që vrau 25- vjeçarin Klodian Rasha dhe që provokoi shpërthimin e trazirave në Tiranë. E sigurtë është që Hajdëraj nuk ishte qytetari model. Ai nuk ishte antipod i “huliganëve” të protestës, apo polici pa fat që “aksidentalisht” i mori një jetë njeriu.

I vetmi ndryshim që pati nga “halabakët”, “huliganët”, “barbarët” apo “rrugaçët” që përshkruhen rëndom këto ditë në media, është se Nevaldo Hajdëraj kishte njohjet e duhura në parti, të cilat i dhanë padrejtësisht shansin të veshë uniformën e Forcave Shqiponja dhe bashkë me këtë, i dhanë edhe një armë me të cilën vrau Klodian Rashën. Pikërisht kundër kësaj policie është protestuar këto ditë në Tiranë dhe pikërisht për këtë largimi i Lleshajt, nuk mjaftoi.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu