Libri me kujtime i pabotuar i ish-kryehetuesit të diktaturës, Qemal Lame: Vrasjet e krerëve të shtetit në vila, që gjendeshin “papritur” nga Sigurimi i Shtetit

0

Nga Qemal Lame
Në historinë moderne të shtetit shqiptar dallohet qëndrimi në Luftën e Dytë Botërore, ku Shqipëria u radhit me Aleancën e madhe Antifashiste dhe u realizua me forcat tona çlirimi nga pushtuesit nazifashistë. Vendi do të rindërtohej, do të kapërcehej prapambetja e trashëguar dhe do të zhvillohej me ritme të shpejta. Sistemi i ri politik mendohej i përjetshëm. Vdekja dihej, por nuk mund të mendohej rënia e socializmit e komunizmit. Lufta e klasave, ndërprerja e lidhjeve me bashkëkombësit në shtetet e tjera e në migracion, mbyllja e kufijve e izolimi ekstrem, ekonomia jorentable e vendit të vogël të ndërtuar mbi parimet e një shteti të madh, frika nga pushteti dhe propaganda për indoktrinim si vendi me popull të lumtur nuk lejonin të njihej qytetërimi perëndimor dhe nuk kuptohej se ishim të fundit dhe më të varfrit në Evropë. Enver Hoxha dhe bashkëpunëtorët e tij kryesorë Mehmet Shehu e Ramiz Alia që drejtuan vendin, fajësohen për pushtetin autoritar të maskuar me luftën e klasave.

Gjendja politike do të tronditej me vdekjen e papritur të kryeministrit Mehmet Shehu në mesnatën ndërmjet datës 17 dhe duke aguar 18 dhjetor 1981. Ngjarja u publikua nga udhëheqja një ditë me vonesë, me motivin se: “vrau veten si pasojë e krizës nervore!”. Por nuk ishte bindëse. Populli dyshonte, akuzonte sa mundej për eliminimin e mikut të ngushtë të udhëheqësit. Linçimi dhe ndëshkimi si armik, tradhtar e si poliagjent i Perëndimit dhe i Lindjes përforcoi dyshimet për krimin e organizuar shtetëror të kryer në Bllok, në territorin më të fortifikuar e të mbrojtur me potencialin ushtarak, përdorimin e teknikës bashkëkohore dhe zbatimin e metodave të fshehta agjenturore të ruajtjes së pushtetit të diktaturës. Ndihej rënia e mitit të udhëheqësit, e sukseseve të trumbetura në Kongresin e 8-të të PPSH-së, tronditja e situatës politike e ekonomike, rëndimi i nivelit të jetesës, mungesa e mallrave e ushqimeve ditore.

Motivi i “vetëvrasjes” nuk u mirëprit, siç ishte menduar dhe kërkohej nga udhëheqësi, me solidarizim entuziast nga populli, me unanimitetin dhe besimin te Partia e tek autoriteti i Enver Hoxhës. Bindja, mbështetja dhe duartrokitjet ishin bërë në atë kohë norma morale të indoktrinimit nga propaganda dhe të imponuara me frikën e dënimit e internimit politik. U forcua bindja se udhëheqësi impononte vullnetin e tij me anë të forcës së pushtetit, detyronte popullin të mbyllte gojën, nxiste mitizimin, legjendizimin e ngjarjeve e personave të viktimizuar. Dyshimet drejtonin vëmendjen në majën e piramidës së partisë-shtet dhe qartësonin siluetën e vërtetë të fantazmës së autorit të zhdukjes dhe eliminimit të kundërshtarëve politikë, të dëshirës për pushtet të përjetshëm, shkakun e dramave shoqërore e familjare.

Propaganda zyrtare, britmat e ulërimat kërcënuese të udhëheqësit e të militantëve, si dhe dhuna shtetërore nuk patën ndikimin e tyre të njohur si më parë. Në bisedat, komentet, diskutimet dhe analizat intime midis të besuarve ngjarja cilësohej si krimi i radhës për eliminimin e kundërshtarëve politikë. Qëndrimet dhe reagimet akuzuese të papritura e masive, me anë të diskutimeve në mirëbesim, të cilat ligjërisht cilësoheshin dhe dënoheshin si agjitacion dhe propagandë kundër shtetit, nuk bëheshin vetëm në radhët e kundërshtarëve politikë. Në këtë rast ato përfshinë pjesën më të madhe të popullit e të komunistëve me ideale parimore e ndjenja të sinqerta, megjithëse ata ishin baza kryesore e mbështetjes së sistemit politik. U thye frika nga pushteti autoritar. U shfrynë pakënaqësitë për pasojat e luftës ekstreme të klasave që kishte prekur shumicën e popullsisë me dënimet masive, paralizimin e ekonomisë e financave, si dhe vështirësitë sociale pas prishjes së marrëdhënieve me Kinën etj.

Media dhe personalitete të larta shtetërore e publike të bashkësisë ndërkombëtare reaguan menjëherë. U theksuan dyshimet dhe akuzat për njoftimin zyrtar për rrethanat e vdekjes së papritur të kryeministrit në detyrë, si dhe të sqarimeve të pamjaftueshme e të pabesueshme të publikuara nga organet më të larta drejtuese të partisë dhe të shtetit socialist. Vdekja e kryeministrit u pasua me ngjarje të tjera të rënda edhe për familjen e tij. Papritur ndodhi në vazhdim vdekja njëlloj në rrethana misterioze e djalit të tij të madh, Vladimirit, të internuar në Gramsh.

Vdekja e tij u cilësua po me motivin e “vetëvrasjes”. Më pas ndodhi vdekja në burg, e cilësuar për shkaqe “natyrale”, edhe e gruas së tij, Fiqiretit. Nga pesë anëtarë të familjes, tre vdiqën në rrethana të çuditshme!? Dy djemtë e tjerë u dënuan si armiq komplotistë, por, për fatin e mirë, shpëtuan në kohën e ndërrimit të sistemit politik. Në kohën që kanë ndodhur këto ngjarje nuk kam punuar në hetuesi dhe nuk kam pasur prova.

Më tërhiqnin vëmendjen dramat e përsëritura me të njëjtat motive zyrtare, krimet e dyshimet e mbetura në kujtesën e popullit që nga koha e Luftës Nacionalçlirimtare për urdhrat, vrasjet, eliminimin e kundërshtarëve politikë, personave nga atentatorët klandestinë e më pas nga agjentura e fshehtë e Sigurimit të Shtetit. Vdekja e Mehmet Shehut ndodhi njëlloj si 27 vjet më parë, në vitin 1954, ajo e presidentit Omer Nishani. Krerët e shtetit, në vilë, në dhomën e gjumit, të ruajtur nga Sigurimi i Shtetit, gjendeshin “papritur” e “rastësisht” të “vetëvrarë”, me të njëjtin formulim, se kishin qëlluar vetveten me “plumb në zemër” me anë të pistoletës personale! Jo me silenciator! Çuditërisht nuk dëgjohet asnjë zhurmë nga rojat e familjarët në dhomën pranë, nuk kryhen në kohë veprimet ligjore, zhduken provat, largohen në drejtim të paditur dëshmitarët, imponohen vendime sipas orientimeve politike etj.!?

Nga studimet dhe provat e mëvonshme shtohen dyshimet për vrasjen e kryeministrit me qëllimin e ruajtjes dhe trashëgimisë së pushtetit. Drejtësia nën kontrollin e politikës nuk arriti të zbulojë të vërtetën. Përvoja tregon se drejtuesit e kuadrot e sigurimit, policisë, hetuesisë, prokurorisë e gjykatës, të nënshtruar dhe nën urdhrat e udhëheqjes politike që i emëron, bëhen bashkëpunëtorë me krimin dhe ligjërojnë me vendime me fuqi juridike qëndrimet politike. Krimet e organizuara politike mbeten mister për opinionin publik. Vrasjet politike janë krime shtetërore të organizuara me gjithë fuqinë e pushtetit të pakufizuar të ideatorit dhe urdhëruesit, si dhe veprimtarinë përkushtuese të bashkëpunëtorëve të tij më të ngushtë që zbatojnë verbërisht, me përpikëri, në fshehtësi, me mjetet më të sigurta e me agresivitet eliminimin e deri zhdukjen fizike të kufomave të viktimizuara e të gjurmëve të krimit, vënien në përdorim të propagandës zyrtare për të manipuluar të vërtetën dhe opinionin publik.

Shteti vret në mes të natës dhe ditën bën varrimin me nderime shtetërore! Këto vepra mbeten sekret i urdhëruesit dhe ekzekutorëve, marrin formën e legjendave e miteve. Të vërtetën e dinë vetëm ai që ka urdhëruar dhe bashkëpunëtorët më besnikë që e kanë realizuar, të cilët mbajnë gojën të mbyllur. Për këto arsye, ato janë shumë të vështira për t‘u zbuluar, për të vënë para përgjegjësisë penale, hetuar, gjykuar dhe dënuar fajtorët kryesorë. Ata që kanë dijeni dhe guxojnë të flasin e të publikojnë të vërtetën bëhen viktima e radhës e vrasësit të pushtetshëm.

Libri përmbledh një periudhë 40-vjeçare studimore dhe përbën një dokument. Është shkruar si monografi në vitin 1983. Më pas është plotësuar me analiza, fakte, dokumente arkivore, vendime e përvojë personale si drejtues i institucionit kushtetues të akuzës e të hetimit. Me përkushtimin intelektual, profesional e qytetar jam motivuar sa mundem që të hidhet dritë për zbulimin e enigmës së vrasjes së propaganduar zyrtarisht si “vetëvrasje”. Besoj se libri do të ndihmojë lexuesit, opinionin publik, punonjësit e drejtësisë dhe studiuesit e interesuar. Pres me interesim ide e të dhëna të tjera, duke u bërë thirrje personave që i kanë përjetuar, sidomos punëtorëve operativë, hetuesve, prokurorëve e gjyqtarëve që kanë dijeni për shkak të punës së tyre. Krerët kryesorë të shtetit që jetonin u arrestuan e dënuan më 1991-1992, pas ndryshimit të sistemit politik, për krime me pasoja të rënda politike, ekonomike e shoqërore. Përgjegjësitë e Enverit, Mehmetit, Ramizit etj. analizohen me prova dhe fakte për të ndihmuar në dokumentimin e saktësimin me objektivitet të historisë, të pasojave të diktaturës, për ndërgjegjësimin e motivimin për realitetin, nxitjen e mendimeve, korrigjimin e falsifikimeve, indoktrinimin, miteve e legjendave në popull, mospërsëritjes të së kaluarës me udhëheqës të idealizuar e autoritarë. Rëndësi kanë vizioni për të sotmen e të ardhmen, forcimi i shtetit të së drejtës dhe demokracisë funksionale e të drejtpërdrejtë për popullin. Zyrtarët e lartë të shtetit, drejtësisë, rendit, shërbimit informativ kërkohet të udhëhiqen nga Kushtetuta, të marrin vendime të pavarura, të dëshmojnë sovranitetin e shtetit e mbrojtjen e interesave kombëtarë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu