Me dy emigrantë të paligshëm, në pranga 51-vjeçari, procedohet bashkëpunëtorja

0

Policia e kryeqytetit ka vënë në pranga një 51-vjeçar, ndërsa ka nisur procedim penal për bashkëpunëtoren e tij, një 35-vjeçare, pasi janë kapur teksa po tronsportonin me mjetin e tyre dy emigrantë të paligjshëm.

Sipas policisë, në pranga ka rënë 51-vjeçari me inicialet I.M., banues në Babrru Tiranë, ndërsa është proceduar I.N., 35 vjeç, e cila po udhëtonte me të në momentin kur po transportonin emigrantët, me qëllim fitimin. Emigrantëve u ishte premtuar kalimi drejt vendeve të BE-së.

Njoftimi i policisë së Tiranës:

Finalizohet operacioni policor i koduar “Midnight”, për goditjen e veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit. Operacioni nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 5 dhe me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë. Vihet në pranga 1 shtetas që u kap në flagrancë duke transportuar 2 emigrantë të paligjshëm, procedohet penalisht bashkëpunëtorja e tij. Procedohen penalisht edhe 2 emigrantët, për kalim të paligjshëm të kufirit. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 5, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative se disa shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, transportonin emigrantë të paligjshëm, nga Tirana në drejtim të Kukësit, me qëllim kalimin në vendet fqinje, me destinacion final vendet e BE-së, organizuan dhe finalizuan operacionin “Midnight”, për goditjen e kësaj veprimtarie kriminale. Në kuadër të këtij operacioni u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit I. M., 51 vjeç, banues në Babrru, Tiranë, dhe u procedua penalisht bashkëpunëtorja e tij, shtetasja I. N., 35 vjeçe, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, kryer në bashkëpunim. Shtetasi I. M. është kapur nga shërbimet e Policisë, në mesnatë, në zonën e Paskuqanit, duke transportuar 2 emigrantë, të cilëve iu ishte premtuar kalimi drejt vendeve të BE-së, kundrejt shpërblimit monetar. Në vijim të veprimeve u proceduan penalisht dhe 2 shtetasit e huaj, për veprën penale “Kalim i paligjshëm i kufirit shtetëror”. Po punohet për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale dhe identifikimin e personave të tjerë të implikuar në të. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, kryer në bashkëpunim dhe “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu