Aktivisti, Arben Kola nëpërmjet një lidhje “skype” ka dhënë një intervistë ku ka folur mbi arrestimin e tij nga policia për shkak të prezencës në protestën kundër rritjes së çmimeve.
Ai e përshkruajti momentin kur forcat e policisë e arrestuan vetëm sepse kishte bërë thirrje për lirimin e të rinjve që u arrestuan në prani të tij menjëherë pasi vazhduan marshimin drejt sheshit “Dëshmorët e Kombit”.
Ndër të tjera ai bëri thirrje që kryeministri Edi Rama të reflektonte dhe të mos sillej në këtë mënyrë me të rinjtë sepse protestat nuk do ndalonin derisa kërkesat e tyre të plotësoheshin.
Kola: Ne protestën e nisëm që të hënën madje edhe të martën dhe pastaj të mërkurën u bashkuam edhe me qytetarët e tjerë. Ditën e enjte pas mbledhjes para kryeministrisë ne marshuam drejt bulevardit dhe unë në një moment po rrija nga ana e trotuarit. Më pas shoh se dy qytetarë po arrestoheshin, kështu që nxorra megafonin dhe bëra thirrje që të liroheshin protestuesit. Pas pak minutash unë po flisja në telefon me një mik timin kur më vjen një krah nga mbrapa dhe më marrin disa civila dhe disa policë me uniformë. Më dërguan në rajonin e policisë. Ajo që dua të denoncoj unë dua të denoncoj policinë për të rinjtë e tjerë që i kanë arrestuar padrejtësisht vetëm se kanë pasur kapuça. Dua t’i them policisë që të tërhiqet nga kjo mënyrë e të sjellurit me të rinjtë sepse nuk i frikëson dot.
Në këtë mënyrë Rama po na shantazhon. Tre ditë qëndrimi në burg ishin të panevojshme për shumë qytetarë sidomos për të rinjtë. Një rini që shantazhohet dhe burgoset nesër ta kthen me gurë. Duhet të ketë kujdes të reflektojë nuk mund të sillet me të rinjtë ashtu, mos të mendoj së është me Lul Bravën. Pse duhet të merret një kryeministër palaço me Ukrainën kur nuk ka rregualluar punët në vendin e tij? Thirrja ime për të gjithë shqiptarët është të reagojmë përditë siç kemi bërë këto ditë. Le të na arrestojnë por ne nuk do ndalojmë.