TIRANA- Deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji ka paralajmëruar mazhorancën në Komisionin e Sigurisë që të mos përfshirë në fushatë aktive të burgosurit. Salianji tha se meraku është se mos ndryshon qeveria dhe ikën mbështetja politika për Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve. Ai iu drejtua Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, Klevis Qose duke i thënë se duhet të mbajnë të dënuarit që mos tu ikin. Ai shtoi se duhet të kontrollohet e të mos futen pistoleta e drogë nëpër IEVP.
“Unë vetëm një pyetje kam, a keni kapacitet që mos t’ju ikin të burgosurit, keni njerëz? Sepse në të kaluarën ka ardhur drejtori dhe ministri dhe kanë thënë që nuk kemi aplikonte për punonjës në policinë e burgjeve, e dyta të krijoni kushtet mos t’ju ikin njerëz. Ç’i duhet drejtorisë së Burgjeve se mos ndërron qeveria? Meraku është se mos ndryshon qeveria dhe ikën mbështetja politika për Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve. Ç’punë ka drejtoria e burgjeve me këtë?
Mbani njerëzit mos ju ikin, kontrolloni mos futin përveç pistoletave edhe mitraloz aty brenda, mos shesin drogë nëpër burgje. Meqë edhe te ky raport merakun e keni si t’i fusni hundët në zgjedhje, se mos ndryshon qeveria, po qe se përfshihen në zgjedhje të burgosurit, në fushatë aktive, tek kërcënimi brenda burgut, kini kujdes sepse nuk do ti shpëtoni dot këtë herë. Mos e joshni këtë kontingjent për vota”, tha Salianji.