“Mos i hani, kthejini aty ku i keni blerë”/ Drejtoresha e AKU-së sqaron publikun për salsiçet “Wody”

0

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka bërë sot një njoftim të rëndësishëm për qytetarët shqiptarë, duke u bërë thirrje që të “mos konsumojnë produktin Wody”.

Në njoftimin zyrtar të AKU-së thuhet se pas testimeve laboratorike të kryera në Itali, është zbuluar se ky produkt përmban bakterin Listeria monocytogenes STI55, i cili është i dëmshëm për shëndetin e njeriut.

AKU gjithashtu sqaron se po merr të gjitha masat nëpërmjet kontrolleve zyrtare në operatorët e biznesit ushqimor për identifikimin, bllokimin dhe tërheqjen e produktit nga tregu.

Emisioni “Shqipëria Live” në Top Channel nisi sot pikërisht me këtë njoftim të rëndësishëm për qytetarët shqiptarë. Në një lidhje telefonike ishte Jeta Deda, drejtoresha e AKU-së.

Deda sqaroi se njoftimi nuk është për të gjitha produktet, por vetëm për disa LOT dhe data skadence.

“AKU nuk është vetëm duke tërhequr produktet nëpërmjet importuesit por edhe atyre që kanë shpërndarë këtë produkt. Kjo mënyrë komunikimi me konsumatorin është për të qenë sa më transparent dhe të afrueshëm me ta. Jo për të krijuar panik të panevojshëm, por për të tërhequr produktet më këtë LOT dhe datë kadence”, tha drejtoresha e AKU-së.

Deda u shpreh se kontrollet e para janë kryer në Itali, aty ku ka dalë në fillim problemi.

“Njoftimi ka ardhur mbrëmë vonë dhe ditën e sotme kemi nisur menjëherë tërheqjen e produktit. Janë të gjitha strukturat e AKU-së duke u marrë me këtë”, tha drejtoresha e AKU-së.

E pyetur se sa të sigurt jemi ne se nuk ka pasur produkte me një datë tjetër skadance që janë shitur, Deda u shpreh:

“Për 8 muajt e parë të vitit 2022, ne kemi një plan kontrolli dhe nuk ka pasur një datë për këtë lloj treguesi. Kemi një plan për bazë risku. Treguesit e vitit të shkuar dhe risku i llojit të produktit, tregojnë se pse duhet të kontrollojmë disa produkte”.

Gjithashtu Deda shtoi se nëse qytetarët kanë konsumuar “Wody” me LOT dhe datë skadence të dhëna në njoftimin e AKU-së, duhet të paraqiten pranë mjekut të familjes.

“I referohemi vetëm këtyre LOT-eve dhe datës së skadencës që ka ardhur në Shqipëri. Kemi të bëjmë me një produkt të importuar, jo të prodhuar në Shqipëri”, tha drejtoresha e AKU-së, e cila tha se produktet e skaduara të mos hidhen në koshin e mbeturinave, por të kthehen aty ku janë blerë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu