Negociatat për Presidentin e ri pa sukses/ Dështon edhe raundi i dytë, ja çfarë parashikonte marrëveshja

0

Raundi i dytë i procedurës për zgjedhjen e Presidentit të Shqipërisë po shkon drejt dështimit.

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, deklaroi dje në një prononcim për mediat se maxhoranca shkeli marrëveshjen e arritur ditën e mërkurë.

“Që të kishte një emër do të duhej që ky emër të propozohej nga ne. Nga katër kandidatura, do të përzgjidheshin dy, siç donin ata dhe nga ata dy, të zgjidhnin një dhe ai një të kishte nënshkrimet e përbashkëta dhe ne do të kishim Presidentin e Republikës të të gjithë shqiptarëve”, tha Alibeaj.

Por sipas homologut të Alibeajt në Partinë Socialiste, në tryezën e negociatave të mërkurën u dakordësua që në dy raundet e mbetura të propozonte vetëm PD dhe jo që kandidatët e PD-së të merrnin firmat e deputetëve të PS-së.

“Dy ditë më parë kemi rënë dakord që në raundin e dytë dhe të tretë ne nuk do propozojmë kandidatë dhe i takon opozitës të propozojë. Propozimi për President duhet të vijë edhe me firma mbështetëse nga opozita. Nëse Presidenti nuk zgjidhet në këto dy raunde, në raundin e katërt do të propozojmë ne. Takimi ka qenë publik dhe kjo është dakordësuar në prani të mediave”, reagoi Balla.

AKUZA

Enkelejd Alibeaj akuzoi maxhorancën se u tërhoq me bishtin ndër shalë pasi u njoh përmes mediave me propozimet e deputetëve në mbledhjen e Grupit të PD-së. Sipas Alibeajt, PS u tërhoq nga marrëveshja pasi nuk mund të peshkonte dot kandidatët.

“Unë nuk kam keqardhje. Ne u nisëm për të krijuar një proces që të ishte jo proces kulisash, por në sytë e publikut. Duke qenë në mënyrë transparente, është e qartë që ne kemi qëndruar parimorë për të dhëne një President konsensual. Keqardhja ime është se në atë mbledhje në kryesi, ne ramë dakord, Balla tha se biem dakord me dokumentin, por ky dokument u shkel nga ana e PS.

Ky nuk është vetëm një proces ku bëjmë eksperimente. Emrat që dolën dje, profile të larta të pakorruptuara. Këto ishin garancitë që ata kanë, sfiduan për së largu Ramën dhe maxhorancën. Panë emrat, panë që askënd nga ata nuk mund ta peshkonin. Për këtë arsye, tërhoqën bishtin ndër shalë”, u shpreh Alibeaj.

Në fakt, ata që u peshkuan të parët, duket se janë deputetët e thjeshtë të selisë blu, që nxituan të jepnin emra në mbledhjen e Grupit të PDsë ditën e enjte.

Kujtojmë që në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PD-së dy ditë më parë, Enkelejd Alibeaj, i cili po zhvillon negociatat, nuk propozoi asnjë emër. Po ashtu, edhe Gazment Bardhi apo Jorida Tabaku nuk propozuan asnjë emër.

Në kushtet kur edhe raundi i dytë po shkon drejt dështimit, lind dyshimi se lidershipi i PD-së nuk ka dashur të konsumojnë emrat e tyre për një proces që ishte parashikuar i dështuar.

ÇFARË PARASHIKONTE MARRËVESHJA

Akuzat ndaj maxhorancës Alibeaj i bëri duke iu referuar pikës 4 të marrëveshjes që ia vendosi ditën e enjte Grupit të PDsë.

“Një Komision i përbërë nga 6 anëtarë: 3 shumica parlamentare dhe 3 pakica parlamentare, shqyrtojnë 2 kandidatët e përzgjedhur dhe bien dakord për përzgjedhjen dhe propozimin e përbashkët të njërit prej kandidatëve. Kandidaturat e përzgjedhur i nënshtrohet votimit në seancë plenare. Kjo procedurë përsëritet për çdo raund, ku skualifikohen kandidatët që nuk janë përzgjedhur sipas pikës 2, dhe kandidati që nuk ka marrë mbështetjen në seancë plenare”, thuhej në dokumentin e Alibeajt.

Ndërkohë që dy ditë më parë Balla u shpreh: “Deri në raundin e tretë propozimet i keni ju. Sillni propozimet, deri në raundin e tretë ne nuk po sjellim asnjë emër. Sillni propozimet. I doni siç tha z. Gjiknuri. Nëse doni të konsultoni ndonjë emër me ne, na thoni kur. Pranohet dokumenti juaj deri në raundin e tretë”, u shpreh kryetari i Grupit të PS-së.Panorama

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu