Partia Demokratike ka reaguar për rastin e përndjekjes dhe ngacmimit seksual të një nëpunëseje në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve.
Në një deklaratë për mediat, anëtarja e departamentit të çështjeve sociale Orinda Malltezi tha se PD dënon aktin e padenjë ndaj zonjës dhe mosreagimin nga ana e institucionit duke treguar kështu korrupsionin moral të administratës.
‘Administratës së Edi Ramës nuk i mjafton korrupsioni financiar pa i shtuar edhe atë erotik. Një punonjëse e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve është ngacmuar seksualisht në vendin e punës, sipas video-dëshmisë së transmetuar nga emisioni “Stop”.
Partia Demokratike dënon fillimisht aktin e padenjë ndaj një zonje, dhe së dyti reagimin, më saktë mosreagimin, institucional ndaj këtij akti, duke i cilësuar të dyja tregues të korrupsionit moral dhe shpirtëror të kësaj administrate, të cilën asnjë skandal nuk e ndal dhe asnjë kod nuk e përmban”, tha ajo.
Sakaq shtoi se ngacmimi seksual vazhdonte prej kohës dhe për shkak të mungesë së politikës së qartë për këtë të fundit, gruaja ishte munduar ta zgjidhte situatën në mënyrë të heshtur.
Lidhur me rastin, Malltezi thekson se Drejtoria e Tatimeve duhet të reagojë menjëherë për të verifikuar situatën pasi zonja është viktimë e ngacmimit prej 3 vitesh.
‘Sipas videos, ngacmimi seksual vazhdonte prej kohësh, dhe shprehej fizikisht, verbalisht dhe joverbalisht. Në kushtet e mungesës së politikave të qarta për ngacmimin seksual në vendin e punës, punonjësja ishte munduar ta zgjidhte situatën në mënyrë të heshtur, dhe pasi ka konstatuar që nuk ka pasur asnjë ndryshim, është ankuar në nivel administrativ dhe më pas penal. Situata e ngacmimit ka vazhduar në kushtet e mosreagimit të frikshëm të institucioneve, gjë që krijon një precedent që vë në rrezik të gjitha gratë dhe vajzat në administratën publike. Të gjitha institucionet e vëna në dijeni nuk kanë reaguar pas marrjes së ankimimit. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, Ministria e Financave dhe Prokuroria e Tiranës, nuk kanë marrë asnjë hap për ta verifikuar situatën dhe për ta adresuar atë. Zonja është lënë vetëm dhe viktimë e një ngacmim seksual për 3 vjet, me gjithë barrën psikologjike që kjo sjell. Institucionet që duhej të kishin reaguar menjëherë sapo janë vënë në dijeni janë: Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, drejtuesi i të cilës ka përgjegjësinë kryesore për lejimin e kësaj situate, Ministria e Financës si institucion epror, Departamenti i Administratës Publike, që ka përgjegjësinë e kodifikimit të politikave kundër ngacmimit seksual në vendin e punës dhe monitorimin e zbatimit të tyre’, përfundoi ajo.