Ngrihet komision për shkarkimin e Presidentit, Meta: Nuk njohim më asnjë vendim…

0

Presidenti i vendit Ilir Meta ka reguar përmes zëdhënësit të tij Tedi Blushi, mbi vendimin e Kuvendit për të ngritur Komision Hetimor për shkarkimin e tij.

Meta thotë se nuk do të njohë asnjë vendim që del tani e tutjje nga Kuvendi njëpartiak, dhe lëshon një mesazh edhe për ndërkombëtarët, të cilëve iu bën të qartë se nuk mund ta intimidojnë presidentin e vendit.

Përmes Blushit, Meta thotë se presidenti e di shumë mirë planin e tij se çfarë do të ndodhë në vijim, dhe garanton qytetarët se do të përmbushë detyrimet kushtetuese për të cilat është betuar me dorën mbi Kushtetutë.

Deklarata e plotë e Tedi Blushi

Presidenti i Republikës Sh.T.Z Ilir Meta shpreh keqardhjen e thellë, që Kuvendi njëpartiak e refuzoi mundësinë që ju dha prej Tij për t’u kthyer në shinat e Kushtetutës dhe të Ligjit.

Në këto kushte, bëjmë me dije se Institucioni i Presidentit të Republikës nuk do të njohë asnjë vendim apo veprimtari antikushtetuese dhe antiligjore të Kuvendit njëpartiak në detyrë, si dhe vendimet e çdo institucioni tjetër kukull të këtij regjimi kleptokratik.

Çdo produkt i një procesi fiktiv dhe antiligjor parlamentar, që bie ndesh me parimet dhe vlerat e shoqërisë sonë demokratike nuk meriton vëmendje dhe është nul.

Askush nuk mund të fshihet dot, as pas “etikës” dhe as pas “retorikës”, sepse kjo është një çështje SOVRANITETI. Presidenti Meta e di shumë mirë se çfarë ka ndodhur dhe është shumë i qartë në planin e Tij për atë që do të ndodhë në vijim.

Garantojmë të gjithë qytetarët, se në respekt të betimit të tij me dorën mbi Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, Presidenti Meta do të ushtrojë me përgjegjësi të plotë, sikundër ka vepruar derimë tani, të gjitha funksionet e Tij kushtetuese deri më 24 korrik 2022 dhe nuk do të tolerojë asnjë lloj intimidimi të Institucionit të Presidentit nga mafia lokale, rajonale dhe ndërkombëtare.

Me 98 vota pro, 5 kundër dhe 1 abstenim parlamenti votoi pro ngritjes së Komisionit Hetimor për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta.

Deputetët që votuan kundër ngritjes së Komisionit Hetimor për shkarkimin e Presidentit Meta:

Elda Hoti

Fatjona Dhimitri

Lefter Maliqi

Artur Rroshi

Adriatik Alimadhi

Abstenim: Ralf Gjoni

Puna e Komisionit Hetimor do të zgjasë 1 muaj përgjatë të cilit do të shqyrtohen të gjitha argumentet e ngritura nga Partia Socialiste për shkarkimin e Presidentit.

Më pas vendimi i shkarkimit të Presidentit Meta duhet të votohet nga 2/3 e parlamentit për t’u finalizuar nga organi legjislativ, por fjalën e fundit mbi shkarkimin ose jo e vendos Gjykata Kushtetuese.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu