Nipi i Kujtim Ferracakut, Elmidin Dyli, 17-vjeç, tregon versionin e ngjarjes me katër të vrarë në Velipojë: Pashë gjyshin që u rrëzua në tokë…

0

Nipi i Kujtim Ferracakut, Elmidin Dyli, 17-vjeç, tregon versionin e masakrës me katër të vrarë e dy të plagosur në Velipojë

17-vjeçari i cili mbeti i plagosur në masakrën e Velipojës ka treguar versionin e tij të ngjarjes. Ai, së bashku me Hasan Ferracakun, të dy të arrestuar janë dëshmitarët e ngjarjes.

Sot gjykata i ka lënë ata në burg, ndërsa 17-vjeçari ka treguar si ka nisur konflikti që degjeneroi në përdorimin e armëve të zjarrit.

Elmidin Dyli, nipi i Kujtim Ferracakut, i cili është një nga viktimat e kësaj masakre ka treguar se të dyja palët në konflikt ishin të armatosur, por pala tjetër kishte automatikë.

“Punoja tek gjyshi Kujtim Ferracaku si kamarier dhe pasi kam mbaruar punën rreth orës 23:30 kemi dalë me stafin e lokalit para hotel ‘Fantazisë’ për të pirë një kafe dhe aty kam dëgjuar debate që vinin përtej lokalit të Hasanit dhe siç kemi qenë bashkë kemi shkuar tek vendi në fjalë. Aty kam parë Hasanin që ishte në tavolinë me një person duke sqaruar debatin mes tyre, kishte edhe persona të tjerë të pranishëm. Në këtë kohë ka shkuar aty edhe Kujtimi, gjyshi im dhe ka lëshuar disa fjalë drejt tyre “janë marre këto punë, kush jeni ju” dhe aty kam dëgjuar krisma arme që më kanë ardhur në krah pas meje dhe kam parë gjyshin që është rrëzuar në tokë. Aty kanë filluar edhe të shtëna të tjera me armë zjarri. Armë ka patur gjyshi Kujtimi, Hasan Ferracaku dhe Abedin Ferracaku, djali i Hasanit kurse pala tjetër ka patur automatik. Kur ata kanë qëlluar gjyshi i është kundërpërgjigjur”, ka thënë Dyli.

Sipas prokurorisë dy shtetasit e arrestuar rrezikojnë burgim jo më pak se 25 vjet ose burgim të përjetshëm në bazë të veprave penale që dyshohet se kanë konsumuar.

Përveç dy të arrestuarve në kërkim janë edhe tre djemtë e Hasan Ferracakut, shtetasit Abedin, Astrit dhe Shyqyri Ferracaku si të përfshirë në ngjarjen e rëndë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu