PAKETAT/ Qeveria shqiptare jep 3 herë më pak para se Kosova për përballimin e krizës dhe rrit me 5 herë çmimin e energjisë

0

 

TIRANE- Qeveria shqiptare shpalli sot Paketën e Dytë të Rezistencës Sociale me një total prej 6.1 miliardë lekë të reja, afro 52 milionë euro, për t’i ardhur në ndihmë kategorive në nevojë, pensionistëve, invalidëve dhe administratës publike. Me krenari, kryeministri tha se kjo ndihmë, gati gjysmë miliardi do të futet në ekonomi për të përballuar rritjen e pandalshme të çmimeve.

“Është një mbështetje në kohë krize, gati gjysmë miliardi, afro gjysmë miliardi”. -tha Rama, që nxitoi të vinte në pah se pas prezantimit të masave nga qeveria e tij, kritikët do ti sillnin përballë paketat anti-krizë në vendet e tjera.

Duke futur me demagogji në tabelën e shpallur edhe nismën për rritjen e pagës minimale, Rama prezantoi indeksimin e pensioneve, apo rritjen e pagës vetëm për policët e burgjeve dhe ata të shtetit dhe rritjen e ndihmës ekonomike.

5 ditë më parë, Qeveria e Albin Kurtit shpalli “Pakon për përballje me inflacion”, me një fond prej 150 milionë euro që prek 300 mijë familje.

Nuk do të donim ti “prishnim” porosinë kryeministrit që udhëzon mediat të mos i sjellin për krahasim paketat e vendeve të tjera, pasi sipas tij kanë kufizime të tjera në fushën e energjisë, por të ngelemi tek ndihma e drejtpërdrejtë që iu jepet qytetarëve.

Shqipëri- Paketa e dytë e Rezistencës Sociale

Indeksimi i pensioneve me 9.5%

Rritja e pagës minimale në 34 mijë lekë

Rritja e pagave në sektorin publik

10.800 policë të Policisë së Shtetit do të përfitojnë nga 5560 lekë në muaj më shumë për person
3600 të Policisë së Burgjeve do të marrin nga 10.548 lekë në muaj më shumë për person
20 mijë punonjës së Administratës Publike do të marrin nga 5000 lekë të reja më shumë në muaj për person

Ndihma ekonomike rritet me 10% ndërsa për gratë kryefamilje me dy fëmijë dhe të moshuarit që jetojnë vetëm dhe janë pa pension do të rritet me 20%. Rritet me 7.5% ndihma ekonomike për personat me aftësi të kufizuar. Tetraplegjikët dhe të verbërit do të përfitojnë mbështetje shtesë për energjinë elektrike me 31 milionë lekë.

Tashmë të shohim çfarë ndodh në Kosovë? Qeveria Kurti parashikon lehtësi dhe mbështetje direkte financiare për çdo punonjës buxhetor me 50 euro, ndërsa 100 euro do t’i jepet çdo pensionisti dhe studenti.

Kosova në dallim nga qeveria Rama nuk e ka rritur me 10% ndihmën ekonomike, por ka vendosur ta dyfishojë asistencën për familjet që janë pjesë e skemës.

KOSOVË- Pakoja e përballimit me inflacion

Subvencionim i faturës për rrymë për ata që kursejnë energjinë elektrike

Projektligji për punë publike për kompesimin e inflacionit për materiale ndërtimore dhe punë përcjellëse

Dyfishim i njëhershëm i shumës së asistencës sociale për muajin shtator

100 euro mbështetje e njëhershme për pensionistët

100 euro mbështetje e njëhershme për studentët

100 euro mbështetje e njëhershme për punëtorë të ndërmarrjeve publike

50 euro shtesë për punëtorë të sektorit publik nga muaji shtator

Këto masa kanë nisur të aplikohen në Kosovë ndërsa në Shqipëri, pensionistët dhe familjet në nevojë duhet të presin vjeshtën për të parë ndihmën e parë bazike që do vijë.

Me një paketë të dytë për ndihmë, qeveria njoftoi sot edhe lajmin se do të rrisë çmimin e energjisë elektrike për qytetarët që kalojnë fashën e 800 kW me një çmim as 1 dhe as 2 herë më të lartë por gati 5 herë më shumë. Kush djeg mbi 800 kW do të paguajë kW pa TVSH me 42 lekë.

Kur Kosova bën rimbursim për kursim energjie, një shembull ky i marrë nga vendet e tjera evropiane si Gjermania apo Italia, qeveria shqiptare shpërndan edhe fletushka sesi qytetarët duhet të ulin konsumin duke përdorur vetëm 2 herë në javë lavatriçen për të mos e kaluar fashën e 800 kW.

Paketa e dytë, pason atë të parën, e cila sërish u proklamua se u hodhën 50 miliardë lekë për familjet shqiptare, por pjesa më e madhe e këtyre fondeve shkuan për energjinë elektrike, pasi shteti ndërhyri për të mos rritur çmimin e energjisë. Banka Botërore e cilësoi si të pamjaftueshme paketën e parë të rezistencës sociale, ku theksoi se “Shqipëria shpenzoi vetëm 1.4 për qind të prodhimit të brendshëm bruto (PBB).”.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu