Parku natyror i Krastës në degradim nga mungesa e vëmendjes

0

Qytetarët hedhin sytë nga kodra e pishave për t’i shpëtuar ndotjes urbane

 

Nga Erisa Avdiaj

 

I shpallur zonë e mbrojtur në administrim të bashkisë Elbasan parku i Krastës zë një sipërfaqe prej 2.3 km katrorë dhe ndodhet rreth 1.5 km larg qendrës së qytetit të Elbasanit.

Sytë nga kjo zonë me pisha e pyllëzuar në vitet 60-të janë hedhur kohë më parë si një mundësi e mirë për ti shpëtuar pasojave të urbanizimit dhe ndotjes industriale të qytetit të Elbasanit. Nisma konkrete ka ndërmarrë shumë vite më parë ish kryetari i Bashkisë Ardjan Turku në kohën kur u emërua ministër kulture. Nëpërmjet lobimit Krasta i kaloi në pronësi bashkisë dhe u shpall edhe zonë e mbrojtur duke marrë profilin e një parku natyror periferik. Një tjetër ndërhyrje si rezultat i këtij lobimi ishte ndërtimi i një rruge deri në majën e kodrës që i jep mundësinë qytetarëve të ngjiten lehtësisht. Në pjesën e ndërhyrjes pati edhe vendosje të disa stolave dhe koshave por që shumë shpejt ato u zhdukën.

Një dëm të madh kanë shkaktuar zjarrët e rënë dy vitet e fundit ku dhjetëra pisha u dogjën.

Ndërsa merr rrugën e ngjitesh në pjesën e majës së Krastës syri të zë disa tabela që e përcaktojnë objekt pyllëzimi. Ndërkohë plehrat i gjen ngado dhe shenjat e koshave të mbeturinave që kurrë s’u pastruan janë të dukshme.

Ndërkohë pisha të rrëzuara, shkurre, degë të thyera dhe trungje pemësh janë një imazh aspak i këndshëm i kësaj kodre që konsiderohet edhe mushkëria e qytetit të Elbasanit.

Eksperti i mjedisit, ing. Ahmet Mehmeti thotë parku i Krastës në gjendjen që është do të shkojë drejt degradimit duke rrezikuar zhdukjen.

“Vërtet është një park natyror shumë i rëndësishëm për qytetin dhe ndërhyrja në infrastrukturë është e domosdoshme, por ajo çfarë duhet me emergjencë është mbjellja e llojeve të tjera të pemëve që të mbrojnë pishat. Ato aktualet janë pishë e egër por duke qenë se janë mbjellë në atë kohë shumë afër ato janë bërë të drejta dhe dëmtimi nga era bëhet gjithmonë e më tepër prezent. Prandaj keni parë shumë pisha të rrëzuara dhe të degraduara. Nuk do të jetë e largët dita kur pishat në Krastë do të zhduken fare. Që kjo mos të ndodhë dhe parku të marrë vërtet vlerën si i tillë duhet patjetër një ripyllëzim i vazhdueshëm jo vetëm me halorë por edhe me gjethorë si shkoza apo të tjera të përshtatshme që kanë rrënjë të fuqishme dhe mbrojnë pishat aktuale”.

Në strategjinë e zhvillimit të territorit të bashkisë Elbasan të hartuar në bashkëpunim me COPLAN është përcaktuar si projekt afatmesëm rehabilitimi i parkut periferik të qytetit si një nevojë e cilësuar për qytetarët. E megjithatë ndër rreziqet që Krasta të mbetet në këtë gjendje, projektuesit parashikojnë gjetjen e fondeve.

Kryetari i bashkisë Gledian Llatja e ka përcaktuar si strategjike dhe  prioritare ndërhyrjen në këtë park.

Arkitekti i njohur elbasanas Edmond Kapllani e përcakton të domosdoshme një lidhje pa ndërprerje të qytetit me Krastën me anë të një pedonaleje apo piste vrapimi që i mbikalon disa segmente rrugore e hekurudhore dhe lidhet me kurorën e gjelbër.

E ndërsa projektet mbeten në letër dhe strategji qytetarët kanë kohë që e frekuentojnë kodrën e pishave. Kjo ndodh sidomos pasditeve ku dashamirësit e sportit dhe qytetarë të ndryshëm bëjnë vrap dhe ecje drejt majës së kodrës.

Janë ata që i shikojnë problemet e përditshme dhe që kërkojnë ndërhyrje. Sokol Lulgjuraj është një prej këtyre frekuentuesve. Ai thotë se ndërhyrje të përvitshme duhet të bëhen me mbjelljen e pishave pasi shikohen dëmtime jo vetëm nga natyra por edhe nga dora e njeriut. “Rruga tashmë është por duhet edhe ndriçim, kosha, stola dhe mirëmbajtje. Pasi të jenë sistemuar këto duhet të vendoset dhe roje pasi shikojmë dëmtime të vazhdueshme. Krasta është e domosdoshme për qytetin dhe si e tillë duhet rehabilituar dhe mirëmbajtur pasi i shërben të gjithë qytetit”.

 

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu