Përzuri nga komisariati ‘të penduarin’ e grupit kriminal, pezullohet nga detyra shefi i Krimeve në Komisariatin e Lushnjes

0

TIRANË- Policia e Shtetit ka pezulluar nga detyra shefin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Lushnjë, me iniciale A. K.. në njoftimin bëhet me dije se vendimi është marrë pas transmetimit të një denoncimi të një 26-vjeçari në programin e “Fiks Fare”. I riu kishte shkuar të rrëfente para bluve të Lushnjes se ishte rekrutuar nga një grup kriminal, por Shefi i Krimeve e ka përzënë nga Komisariati.

Tashmë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka urdhëruar Drejtorinë e Standardeve Profesionale, për nisjen e hetimit disiplinor për punonjësin e Policisë, me detyrë shef i Krimeve i Komisariatit të Policisë Lushnjë.

Njoftimi i policisë:

Në lidhje me këtë rast, në datën 7 shtator 2022, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lushnjë i kanë marrë deklarim shtetasit që shfaqet në pamjet filmike. Gjithashtu, në kuadër të deklarimit të personit, janë kryer të gjitha veprimet procedurale për shoqërimin dhe intervistimin e palëve të përfshira në këtë çështje. Shtetasit janë proceduar penalisht dhe ndiqen në kuadër të një procedimi penal të regjistruar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor. Të gjitha veprimet e para procedurale janë kryer nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lushnjë.

Përsa i përket komunikimit të shefit të Krimeve të Komisariatit të Policisë Lushnjë me qytetarin nga Durrësi, që ka denoncuar rastin, Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Fier ka bërë pezullimin e menjëhershëm nga detyra të punonjësit të Policisë, shtetasit A. K., me detyrë shef i Krimeve i Komisariatit të Policisë Lushnjë, deri në përfundim të hetimeve. Ndërkohë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka urdhëruar Drejtorinë e Standardeve Profesionale, për nisjen e hetimit disiplinor për punonjësin e Policisë, me detyrë shef i Krimeve i Komisariatit të Policisë Lushnjë.

Çfarë rrëfente i riu?

Fiks Fare transmetoi këtë të martë rastin e një 26-vjeçari që më herët kishte bashkëpunuar me grupet kriminale dhe kur kërkoi ndihmë nga policia, nuk u ndihmua. I riu i kishte treguar policisë mënyrën si është rekrutuar nga grupet kriminale për të gjymtuar një person në Lushnjë, duke zbuluar porositësin dhe ndërmjetësin por rasti i tij është neglizhuar nga forcat blu. 26 vjeçari rrëfeu me detaje si e rekrutuan grupet kriminale për të bërë gjymtime dhe djegie makine me para’. Ai thotë se një i njohuri i tij, duke parë vështirësitë që po kalonte, i sapo kthyer me ekspuls nga emigrimi, pa punë, me një fëmijë të vogël, e ka joshur për të kryer vepra penale. Personi ndërmjetës, ose sekseri, jetonte në Durrës dhe quhej Klodian. Më tej pohon se bashkë me Klodianin (ndërmjetësin) dhe porositësin shkojnë për të parë makinën që do digjte. Ishte e tipit “Hyundai” dhe ishte parkuar te karburanti.

“Më pas, më tregoi lëvizjet e personit që do të rrihja dhe do të gjymtoja. Ishte rreth 60-65 vjeç dhe aktualisht ai ishte në arrest shtëpie. Por, ai lëvizte me biçikletë dhe shkonte nga tokat. Unë do e prisja afër një nënkalimi të Unazës së Lushnjes ku s’kishte lëvizje. Për këtë do më paguanin 3 mijë euro. Ndërkohë, të njëjtët persona më treguan edhe banesën e objektivit, e cila ishte në afërsi të Stacionit të Trenit në Lushnje, një shtëpi përdhese,”- pohonte 26-vjeçari.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu