Presidenti i FFK, Agim Ademi sulmon fizikisht zyrtarin e federatës

0

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi ka sulmuar fizikisht një zyrtar të federatës sot pasdite. Lajmi është konfirmuar për mediat e Kosovës zëdhënësja e Policisë së Kosovës, Flora Ahmeti.

“Rreth orës 14:00, kemi pranuar informatën për një rast sulmi, i cili ka ndodhë në zyrat e FFK-së. Lidhur me këtë rast aktualisht në stacion policor është duke u intervistuar pala ankuese. Për detaje njoftoheni me kohë”, tha Ahmeti.

Ademi ka sulmuar zyrtarin Artan Govori, pas një sherri verbal me të duke e akuzuar se është mbështetës i kundërshtarit të tij në zgjedhjet për president të shtëpisë së futbollit, Gramoz Vokrri. Sulmi ka ndodhur brenda zyrës së federatës dhe Policia ka mbërritur në vendin e ngjarjes.

Govori i cili është drejtor për marrëdhënie me jashtë në FFK, ka shkuar në stacionin policor për të dhënë deklaratë.

Gramozi, i biri i legjendës së futbollit shqiptar dhe ish-presidentit të FFK-së Fadil Vokrri e ka zyrtarizuar sot kandidaturën për president të federatës së futbollit duke i dorëzuar nënshkrimet e nevojshme të delegatëve për këtë.

Sulmi ka ndodhur vetëm pak kohë pasi Vokrri ishte në federatë për t’i dorëzuar nënshkrimet e delegatëve në garën për president.

Kjo nuk është hera e parë që Ademi – i cili është në kërkim të një mandati të dytë katërvjeçar në krye të FFK-së – që i sulmon zyrtarët e federatës.

Ai e ka një histori sulmesh ndaj zyrtarëve të institucionit që e udhëheq që prej vitit 2018. Më 2019, ai e kishte sulmuar mjekun e kombëtares, Mehmet Maxhuni, në Parkun e Gërmisë në kryeqytet.

Ishte raportuar po ashtu për dy sulme të tij ndaj sekretarit të përgjithshëm të FFK-së, Erol Salihu të cilin e kishte shkarkuar nga posti më vonë në vitin 2021.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu