Procesi i Berlinit, bërthama e marrëdhënieve në BP, unioni të mos vonojë integrimin./Rama lavde për kancelaren, por kritika vetëm për Kosovën

0

Mëngjesi i kësaj të diele nuk ishte një ditë normale për Shqipërinë, pasi në areoportin e Rinasit u ul Kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel, vizita e saj e dytë në vendin tonë.

Ky ishte takimi i saj i fundit në Ballkanin Perëndimor për shkak se mandati i saj si Kancelare përfundon dhe ajo nuk do të rikandidojë më, kur ka udhëhequr vendin e saj për katër mandate radhazi.

Qëllimi i kësaj vizite në Shqipëri ishte për të mbledhur Kryeministrat e 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe për të folur njëherë të fundit për sa i përket integrimit në kuadër të Procesit të Berlinit, në një kohë kur nisma më e re e Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë ka krijuar jo pak paqartësi në rajon, duke qenë se tre vendet e tjera, Kosova, Mali i Zi dhe Bosnja nuk pranojnë të bëhen pjesë e kësaj nisme, që sipas iniciusve ka për qëllim vetëm përmirësimin e ekonomisë.

Ashtu siç është thënë dhe më parë nga njerëz të qeverisë gjermane, Kancelarja Angela Merkel nuk bëri gjë tjetër ditën e sotme veçse theksoi se Procesi i Berlinit është bërthama e gjithçkaje dhe absolutisht nuk mund të zëvendësohet nga asnjë iniciativë tjetër, duke ‘sfumuar’ në këtë mënyrë nismën e Ballkanit të Hapur. Merkel tha se procesi i Berlinit, për bashkëpunim mes vendeve të rajonit, nuk i mbivendoset integrimit europian të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian.

“Procesi i Berlinit nëse më lejoni të them është bërthama e gjithckaje dhe sigurisht procesi i Berlinit nuk mund të zëvendësohet. Vitet e fundit BP ka mësuar të bashkëpunojë me njëri tjetrin. Nuk ka rëndësi nëse Emanuel Macron apo të tjerë , të gjithë janë miq të Ballkanit Perëndimor. Në secilin prej këtyre vendeve ka njerëz të shumtë nga BE dhe kemi shumë fusha bashkëpunimi. Unë vij nga Gjermania Lindore dhe e di se cfarë do të thotë të luftosh ndaj ndryshimeve që ekzistojnë”, tha Merkel.

Kryeministri Rama i gjendur përballë këtij fakti, u pa ndryshe sa jemi mësuar në takimet e mëparshme ku ngulte këmbë vazhdimisht që ‘Open Balkan’ është rruga e duhur për BP, duke u mjaftuar vetëm me fjalët ‘Ballkani i hapur është pjellë e Procesit të Berlinit’.

Gjithsesi, Rama është munduar ta marrë me të mira Kancelaren, teksa shpesh gjatë konferencës për shtyp i bënte komplimente, ndonëse vetë ai theksoi se Kancelares nuk i pëlqenin.

“Ajo që është akoma më e rëndësishme është se askush nuk e ka kuptuar këtë rajon më mirë sesa Angela Merkel. Me kancelaren është gjithmonë një problem se nuk i ka qejf fjalimet me fjalë të bukura por njëkohësisht është shumë e sinqertë me ato cfarë bëri duke inicuar procesin e Berlinit. Një proces largpamës, jo vetëm një fazë po për ta parë të ardhmen të gjithë së bashku”, u shpreh Rama

Kur vjen puna te sulmet ndaj Europës, Kryeministri shqiptar nuk u kursye as këtë të martë, pavarësisht faktit se përballë kishte drejtuesen e një nga shteteve më të rëndësishme të BE-së. Rama u shpreh se integrimi i Ballkanit Perëndimor po mbahet peng nga nacionalizmat e BE-së.

“Nëse unë do të përgjigjem do të them dikur kur vendet e Ballkanit ishin në konflikt të mëdha, do të zbuste dhe relativizonte nacionalistët në Balllkan, por sot ne jemi peng i nacionalizmave në BE. Nuk kemi ende sot asnjë qeveri nacionaliste, por në disa vende nacionalistët ndikojnë në qeveritë e moderuara dhe kjo që po ndodh sot është pengmarrje e procesit të integrimit nga një plagë nacionalizmi. Asnjëherë deri më sot dhe pse presionet kanë qenë të mëdha dhe në Gjermani qeveria nuk e ka lidhur çelësin e integrimit të Ballkanit Perëndimor me nacionalizmin e vendit të tyre. Ne jemi viktimë të vetove të vendeve të pasura dhe jo vetëm”, deklaroi Rama për këtë cështje

Rama nuk është mjaftuar me kaq. Ai si gjithmonë futi në lojë batutat e tij, por përballë këtë herë kishte Angela Merkel. “Eja në Shqipëri se kemi diellin, detin dhe humorin ballkanas më të mirë se në Evropë”, u përpoq ta ‘joshte’ kryeministri i Shqipërisë duke marrë mbrapsht përgjigjen e thatë se ishte dakord për cilësinë e diellit, por jo për humorin.

Gjithsesi, mbështetja e Angela Merkel për vendet e Ballkanit Perëndimor mesa duket nuk do të përfundojë me mbarimin e mandatit të Kancelares. Ajo tha ditën e sotme se nuk do të vazhdojë të ketë më një rol aktiv në politikë, por kjo nuk do të thotë se nuk do të japë këshilla.

Ajo që mund të quhet në fakt ‘një prerje në besë’ është dhe sulmi i hapur që Kryeministri i Shqipërisë, shteti nga i cili Kosova ka shpresat më të mëdha për mbrojtje, i bëri shtetit fqinj. Rama kritikoi gjatë konferencës me Angela Merkel Kosovën që nuk pranon t’i bashkohet ‘Ballkanit të Hapur’ përshkak të disa teori konspirative.

“Ne duhet të ecim më shpejt dhe duhet ta ecim më shpejt. Një nga pengesat ishte që Serbia nuk pranonte lëvizjen e lirë të njerëzve, sepse kishte paragjykimin nëse ne fusim lëvizje ne lirë të njerëzve atëherë lëvizja e lirë mes Kosovës dhe Shqipërisë do të ishte e garantuar. Faktikisht sot është e pabesueshme që Kosova nuk e shfrytëzon këtë për veten e vet por rri dhe bën teori konspiracioni për “Open Bllakan” kaq e thjeshtë është dhe traseja është shtruar”, tha Rama.

Sikur të mos mjaftonte kjo, në fund të takimit, gazetarve nga kosova nuk iu dha e drejta për të bërë pyetje, edhe pse kishin udhëtuar pikërisht për këtë arsye. Në fund të konferencës ata shprehën revoltimin e tyre për këtë padrejtësi, mirëpo nga Kryeministri pati vetëm injorim dhe si gjithmonë një përpjekje për ta zgjidhur me batuta si gjithmonë “Me mua po por nuk iu ka borxh Kancelarja”.

Rikujtojmë se Angela Merkel mbërriti në Rinas mëngjesin e kësaj të marte. Ajo u prit në aeroport nga Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme Olta Xhaçka dhe Ambasadori Gjerman në vendin tonë, Peter Zingraf.

Më pas ajo u drejtua për në palllatin e Brigadave ku u prit me një ceremoni zyrtare nga Kryeministri Rama. Aty në fakt pati dhe një moment të sikletshme për Ramen i cili kërkoi t’i jepte dorën Merkelit, por kjo e fundit i zgjati vetëm grushtin. Merkel dhe Rama zhvilluan një takim kokë më kokë për rreth 30 minuta. Më pas u zhvillua takimi mes Kancelares dhe 6 liderve te ballkanit Perëndimor  rreth orës 11:50. Ndalesa e radhës së Merkel ishte konferenca për shtyp me Kryeministrin Rama që nisi në orën 14:30.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu