Punëtorët nga Nepali dhe Bangladeshi në Shqipëri, masa dështoi për industrinë përpunuese

0

Punësimet e punonjësve nga vendet aziatike erdhën si domosdoshmëri për shumë biznese në vend, të cilët prej disa vitesh po vuajnë mungesën e fuqisë punëtore. Marrja e punonjësve nga Nepali apo Bangladeshi pritej të ishte zgjidhja e duhur për të zëvendësuar mungesën e burimeve njerëzore, për shkak të emigracionit.

Tashmë nisma rezulton se ka dështuar. Në shumicën e rasteve bizneset pohojnë se punonjësit u janë larguar, pasi Shqipëria është përdorur prej tyre si trampolinë për t’u larguar drejt Europës.

Drejtuesi i Qendrës së Eksporteve Shqiptare, Alban Zusi, pohon për “Monitor” se nisma për marrjen e punëtoreve nga vendet aziatike ka dështuar te përpunuesit. “Edhe në sektorin e industrisë agro-përpunuese, për shkak të mungesës së fuqisë punëtore, shumë biznese kanë punësuar punëtorë të rinj nga vendet aziatike.

Në shumë raste, të punësuarit janë larguar nga vendi i punës, pasi synimi kryesor ishte përdorimi i Shqipërisë si trampolinë për t’u larguar drejt Europës. Nga fabrika jonë, vjet janë larguar 7 punonjës aziatikë.

Bizneset kanë shpenzuar shumë të mëdha parash për marrjen e këtyre punonjësve, pasi u janë paguar pagat sipas kontratave, akomodimi duke përfshirë fjetjen dhe ushqimin. Mund të them se kjo masë ka dështuar jo vetëm në industrinë tonë, por në shumë sektorë të ekonomisë”.

Edhe përfaqësuesi i Shoqatës së Bareve dhe Restoranteve, Enri Jahaj, thotë se masa e marrjes së punonjësve nga Bangladeshi ka dështuar, ku sipas tij disa strukturave akomoduese, së fundmi u janë larguar 40 deri në 50 punonjës të rekrutuar.

Edvin Prençe, Kryetari i Proeksport Albania, thotë se nisma për të marrë punonjës nga Bangladeshi ka dështuar në rastet kur sipërmarrësit kanë kontraktuar punonjësit nëpërmjet kompanive të tjera dhe jo nëpërmjet shoqatës.

Konkretisht, për sektorin fason, pritet të mbërrijnë së shpejti 150 gra nga Nepali dhe 40 nga Filipinet. Punësimi i grave nga Filipinet po rezulton i suksesshëm sipas tij. Z. Prençe thotë se për punonjësit konkretisht nga Nepali, kontratat janë mundësuar me garancinë e ambasadës së këtij shteti. Ai shton se marrja e grave po rezulton më e suksesshme se ajo e burrave, pasi rreziku i largimit të tyre është shumë herë më i vogël.

Kosta Bezhani, administratori i kompanisë “Fresh”, e lidh dështimin e nismës me pagat e larta që kërkojnë punonjësit e huaj. “Bizneset shqiptare nuk kanë mundësi të mbajnë punonjës të huaj, pasi ata kërkojnë paga më të larta se vendasit, duke shtuar edhe koston e akomodimit.

Disa vite më parë, kompania jonë punësoi disa punonjës nga Kina, por për shkak të pagave të larta që duhet t’i paguanim, nuk arritëm t’i mbanim për një kohë të gjatë”, pohon ai.

Paga mesatare neto në Shqipëri llogaritet në 323 euro në muaj, sipas të dhënave të vitit 2019, referuar nga “Numbeo”. Pas Shqipërisë vjen Bangladeshi, 301 euro në muaj, Armenia 300 euro në muaj dhe Irani, 296 euro në muaj. Ndërsa me diferencë nga paga mesatare e Shqipërisë, paraqiten Sri Lanka me 232 euro në muaj; Nepali, 182 euro; Nigeria, 175 euro; Siria, 86 euro etj.

Drejtuesi i Qendrës së Eksporteve Shqiptare, Alban Zusi, thotë se kjo mënyrë zëvendësimi e fuqisë punëtore dështoi, nuk e zgjidhi problemin, për këtë arsye është e nevojshme të ndërhyhet me masa lehtësuese fiskale te pagat që do të frenonte largimin në emigracion të punonjësve.

“Në këtë situatë është e domosdoshme që për një periudhë të përkohshme, qeveria të lehtësojë bizneset nga barra e tatimit mbi të ardhurat. Kjo taksë për pragun e pagave 150,000 deri 200,000 në muaj të jetë zero, për të kuptuar nëse këto masa do të arrijnë të zgjidhin problematikën me mungesën e fuqisë punëtore dhe të largimit të rinjve”.

Zusi rekomandon gjithashtu bizneset për zhvillimin e projekteve sociale për punonjësit, si dhe të ofrojnë shërbimin e transportit falas, kopsht dhe aktivitete ditore për fëmijët e punonjësve, shpërblime për më të dalluarit etj./MONITOR

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu