Punonjësit shqiptarë po i kushtojnë rëndësi edhe shëndetit mendor në punë, jo vetëm parave

0

Migena.B është një 21-vjeçare e cila la Tiranën për të shkuar gjatë sezonit turistik që të punonte si kameriere.

“Ishte hera e parë që e merrja këtë vendim sepse më duheshin lekë dhe nuk doja që muajt e verës t’i kaloja në Tiranë”, tregon e reja e cila mbeti e zhgënjyer nga zgjedhja e saj. Ajo i tregoi GazetaSI se në lokalin ku donte të punonte që ishte përgjatë bregdetit të Durrësit, ishte një ambient pune mbytës.

“Kisha rrogë 50 mijë lekë, plus bakshishet. Në fund të ditës fitoja disafish më shumë se në Tiranë, por kisha një problem, pronarin! Ai ishte kudo, duke gjetur një defekt gjithmonë. Shkonte mblidhte tavolinat përpara punonjësve dhe pastaj bërtiste pse nuk punonim”, thotë Migena. Ajo shtron se kishte qëndruar vetëm një muaj tek ajo punë.

E reja shpjegon se nuk e toleronte dot presionin e panevojshëm në punë. Sipas saj, ishte fat që nuk kishte firmosur kontratë në fillim.

Tashmë në shumë vende europiane, ka njerëz që janë pjesë e lëvizjes ‘anti-punë’, e cila kërkon të heqë rendin ekonomik që mbështet vendin modern të punës. Në vendin tonë punonjësit duket se po i kushtojnë shumë rëndësi edhe shëndetit mendor në punë dhe jo vetëm parave.

Ergi një tjetër i ri që jeton dhe punon në Tiranë si zhvillues webi, i tregon Gazetasi.al se ka mbi 6 muaj që ka zgjedhur të punojë si “freelencer” për disa kompani të huaja.

“Para disa kohësh punoja për një kompani në Tiranë. Më duheshin lekët dhe për këtë detyrohesha të duroja shefin që e kisha gjithë kohës mbi kokë. Më tregonte si bëhej puna kur unë po e bëja mirë”, thotë 23-vjeçari.

I riu shpjegon se nuk është për shkak të vetëkënaqësisë apo siç e quan ai “tangërllëkut në punë”. Ai shton se brenda 4 muajve ka ndryshuar punë tre herë, pikërisht për shkak të presionit në punë që për të ishte pa takt.

“Askush nuk duron të ketë një njeri mbi kokë kur po merret dhe me pika apo presje për të formuluar një faqe webi. Për të mos llogaritur oraret e gjata. Tani kam shpëtuar. Kam qetësinë time dhe punoj për secilën kompani në oraret që kam përcaktuar unë. Për paratë nuk po flas, se janë disafish më shumë”, shton i riu.

Sipas sociologes Marsi Simo arsyet që një punonjës mund të lërë punën janë të shumta. Ajo i shpjegoi Gazetasi.al se pas pandemisë kemi nevojë për disa studime të tjera pasi dhe tregu i punës ka ndryshuar.

“Megjithatë disa arsye janë: Falimentimi i kompanisë, ristrukturimi i kompanisë, dëshira e punonjësit për të përparuar në karrierë, probleme familjare, probleme shëndetësore fizike ose psikologjike”, shton Simo.

Sociologja tregon se duhet pranuar që një vend pune i cili nuk arrin të zhvillojë dhe t’u japë progres punonjësve të vet, do të presë ezaurim apo mosdëshirë për të qenë produktiv nga punonjësit. Ndërkaq sipas të dhënave të fundit nga raporti global për shëndetin mendor të vitit 2022 nga OBSH, tregohet se edhe vendet e punës mund të jenë një rrezik për shëndetin mendor. Sipas të dhënave të OBSH, 60% e punonjësve në botë përballen me punë informale dhe kjo sjell pasiguri për punëtorët. E pasuar nga mungesa e aksesit të mbrojtjes sociale, shëndeti mendor në punë përballet me një kërcenim tepër të madh.

Delina, një tjetër e re i tregoi Gazetasi.al se në punën e fundit që kishte qenë, ndjehej sikur kishte ngecur. Ajo kishte 6 muaj që punonte si asistente në një zyrë poste private. Në fillim i kishin premtuar rritje rroge pas tre muajsh, por kjo nuk kishte ndodhur.

“Klientë pafund që heraherës nuk dinin ca kërkonin. Kishin debate me faqet online dhe vinin përplaseshin në postë. Nuk dije kujt t’i ktheje përgjigje më parë, drejtuesve apo klientëve. E gjithë ajo lodhje nuk vlente për 350 mijë lekë rrogë”, tregon e reja.

“Kryesisht të rinjtë të përballur në kushte të vështira punësimi apo dhe kushteve jo të mira të punës, preferojnë të punësohen me kohë të pjesshme, ose të punojnë nga shtëpia në disa kompani njëkohësisht. Një punë e tillë të ofron pak kufizime në kohë dhe hapësirë, duke përdorur kryesisht mjetet teknologjike”, shpjegon Simo.

Më tej sociologja shton se kjo mënyrë e të punuarit do të kërkojë përshtatshmëri dhe nga ana e punëdhënësve në vendin tonë, të cilët ende ruajnë një format punësimi (lidhet me punonjësin brenda ambienteve të zyrës për 8 orë në ditë).

“Po ashtu një pjesë e drejtuesve sot ende sillen jo si lidera, por si shefa. Për pasojë, kjo sjellje nuk ngre një ambient pune pozitiv, por shfrytëzues drejt një burnout-i (ezaurimi) më të shpejtë”, shpjegon më tej sociologja.

Sipas një raporti të fundit nga firma globale e teknologjisë “Cengage Group” ndër arsyet kryesore për lënien e punës (përveç fitimit të parave) ishte “burnout” dhe pakënaqësia në ambientin e punë. Rezultatet e sondazhit, i cili u krye në fund të nëntorit 2021 dhe përfshinte 1200 punëtorë, të cilët kohët e fundit dhanë dorëheqjen ose po mendonin të jepnin dorëheqjen, tregojnë se punonjësit tashmë janë të vëmendshëm edhe ndaj shëndetit mendor gjatë punës.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu