Qëlluan punonjësit e policisë në mes të ndeshjes, arrestohen presidenti dhe drejtori teknik i Kastriotit

0

Presidenti i klubit ‘Kastriotiti’ Alban Vogli, si dhe drejtori teknik Gazmend Vogli, janë arrestuar nga policia pasi gjatë ndeshjes së djeshme Tirana-Kastrioti u futën në fushën e blertë duke ndërprerë ndeshjen dhe duke kundërshtuar me dhunë punonjësit e policisë.

Të dy këta persona cilësohen nga policia si shkaktarët e tensionimit të situatës në ndeshjen e ditës së djeshme Tirana-Kastrioti, dhe në momentin që efektivët kanë tentuar t’i largojnë nga fusha e lojës ata i kanë kundërshtuar me dhunë duke i qëlluar.

Njoftimi i plotë i policisë:Tiranë

Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr.2 bënë arrestimin në flagrancë për veprat penale “Kundërshtim i punonjësit të policisë së rendit publik” e kryer në bashkëpunim, dhe “Veprime të dhunshme në aktivitete sportive” të kryera në bashkëpunim, të shtetasve: A.V., 34 vjeç, Presidenti i një ekipi futbolli ; G.V., 32 vjeç, Drejtor Teknik i një ekipi futbolli.

Arrestimi i këtyre dy shtetasve u bë pasi ditën e djeshme në rrugën “Sulejman Delvina”, tek stadiumi “Selman Stërmasi”, gjatë zhvillimit të ndeshjes Tirana – Kastrioti, këta shtetas në bashkëpunim me njëri tjetrin, kanë hyrë në fushën e lojës duke shkaktuar tension dhe ndërprerjen e ndeshjes për disa minuta dhe më pas kanë goditur dy punonjës policie për të shmangur shoqërimin e tyre.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu