“Rama përpiqet të gjejë zgjidhje më kot te Ballkani i Hapur”/ Nesho: U fsheh si struc për të mos lënduar Vuçiç

0

TIRANË- Zëvendëskryetari i Partisë së Lirisë, Agim Nesho ka komentuar deklaratën e djeshme të kryeministrit Edi Rama për Ballkanin e Hapur e për Kosovën. Në një deklaratë për mediat, Nesho thotë se kryeministri Edi Rama po përpiqet më kot të gjejë zgjidhje kompromisi tek Ballkani i Hapur për konfliktin mes Serbisë dhe Kosovës. Sipas Neshos, Rama dje u fsheh si struc për të mos lënduar Vuçiç e për të mos mbrojtur çështjen e Kosovës.

Më tej Nesho thekson se “Partia e Lirisë është për Ballkanin e Lirë të Vlerave Europiane dhe jo Ballkanin e Hapur për influencat Ruse dhe Kineze”.

DEKLARATA:

Tensionet e krijuara nga nacionalistët e rinj të Beogradit ditët e fundit tregojnë qartë sesa larg qëndron Serbia në gjetjen e zgjidhjeve të qëndrueshme dhe europianiste që sigurojnë paqe dhe stabilitet në rajon. Në këtë klimë tensioni dhe nxitje për konflikt, në një skenar që Rusia shikon me interes për të shtrirë influencat e saj dhe konfliktin në Ballkan, zoti Rama përpiqet më kot të gjejë zgjidhje kompromisi tek Ballkani i Hapur. Ballkani i Hapur, një inisiativë e vjetër serbe për dominim e saj ballkanik, një inisiativë që sjell ndarje dhe jo integrim, një inisiativë e imponuar popujve të Ballkanit nga interesat e ngushta për pushtet të liderëve të kapur, që zgjidhjen e gjejnë jo në vlerat dhe parimet europiane por në kompromiset me nacionalistët dhe lëshimet pa princip. Partia e Lirisë është për Ballkanin e Lirë të Vlerave Europiane dhe jo Ballkanin e Hapur për influencat Ruse dhe Kineze. Një Ballkan të Lirë për të bërë zgjidhjen e tij për integrimin Europian, një Ballkan të lirë nga frika e rikthimit të nacionalizmave dhe rindarjes së tij në linja të pastra etnike.Sot pamë një kryeministër Shqiptar të mbajtur peng nga protagonizmi i tij i gabuar, ‘që fshihet si struci për të mos lënduar mikun e tij Vucic’. Nuk është vetëm qëndrimi i tij mohues ndaj rolit dhe cështjes së Kosovës, por sot vihet në dyshim e ardhmja jonë europiane e një rajoni që është dhe i takon vlerave perëndimore.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu