Perlat Kapisyzi, drejtori i spitalit “Shefqet Ndroqi”, ka reaguar për ngjarjen e ndodhur së fundmi me vetëvrasjen e pacientit me covid.
Duke folur për mediat, Kapisyzi tha se pacienti është shtruar në spital më 25 tetor ndërsa shtoi se ai iu nënshtrua gjithë ekzaminimeve sipas protokolleve të caktuara. Sipas asaj që deklaroi Perlat Kapisyzi, nga të dhënat që kanë mjekët, Preng Gjonaj nuk paraqiti ndryshime, apo shenja psikologjike jo normale.
Perlat Kapisyzi u shpreh: Sot në orën 3 te mëngjesit, ka ndodhur një ngjarje e rëndë që na ka tronditur pa masë të gjithëve: mjekët, infermierët në shërbim por edhe të gjithë stafin e spitalit tonë që bën një luftë heroike çdo ditë për të shpëtuar jete. 52-vjeçari ishte shtruar në datë 25 Tetor në spitalin “Shefqet Ndroqi”, me pneumoni shumë të rëndë, të shkaktuar si pasojë e virusit SARS COV2. I janë kryer menjëherë të gjitha ekzaminimet radiologjike, laboratorike, është vendosur në mjekim sipas të gjitha protokolleve bashkëkohore, duke mos i munguar në asnjë moment shërbimi dhe përkujdesi mjekësor dhe infermieror. Në emër te stafit te spitalit qe une drejtoj, shpreh dhimbjen e thelle dhe ngushellimet me te sinqerta familjareve te 52-vjecarit qe i dha fund jetes.
Sipas të dhënave te disponueshme gjatë kohës së qendrimit në spital pacienti nuk ka manifestuar shenja të çrregullimeve psikologjike si në momentin e shtrimit edhe gjatë terapive të mjekimit. Ky është një moment i vështirë për ne. Kjo është një ngjarje e hidhur për spitalin tonë, dhe së bashku me organet kompetente do punojmë për zbardhjen e kësaj ngjarje. Duke shprehur edhe një herë dhimbjen për këtë ngjarje të rëndë, stafi i spitalit universitar “Shefqet Ndroqi” siguron qytetarët se do te vijojë të jetë në shërbim 24 orë, për të garantuar shërbimin shëndetësor për pacientët që trajtohen në spitalin tonë. Kërkojmë mbështetjen tuaj në këtë moment të vështirë për të gjithë ne”.
Megjithatë, edhe pse ky është rasti i tretë që tek “Shefqet Ndroqi” pacientët vëtë-hidhen, drejtori i këtij spitali nuk pati përgjigje rreth masave që mund të merren për të parandaluar këto ngjarje në vijim.
I pyetur nga gazetarët nëse do të vendosen kangjella apo masa të tjera sigurie, Kapisyzi tha thjesht që ky është momenti për të respektuar dhimbjen e familjarëve dhe atë të personelit mjekësor.
Në muajt e kaluar nga ambientet e “Covid-2” janë hedhur për vdekje edhe dy pacientë të tjerë.
Më 13 gusht është hedhur nga kati i tretë i spitalit dhe humbi jetën 29-vjeçari Xhino Koça nga Durrësi. Kurse në 2 shtator 65-vjeçariHasan Mira ishte i radhës që i dha fund jetës duke u hedhur po nga kati i katërit i “Shefqet Ndroqit”, dy ditë pasi ishte shtruar.