Riaktivizohet marrëveshja Itali-Shqipëri/ Media italiane: Anija e Marinës gati për të transferuar emigrantët në Shëngjin

0

GJADËR- Pas një pauze prej më shumë se dy muajsh, do të rinisë të funksionojë sërish marrëveshja Itali-Shqipëri për emigrantët. Media italiane, Ansa raporton se anija patrulluese e Marinës “Cassiopea” ndodhet në ujërat pranë Lampedusës gati për të ngarkuar emigrantët për t’u transferuar në qendrat e Shëngjinit dhe më pas në Gjader.

Në rastet e mëparshme, tetorin dhe nëntorin e kaluar, gjyqtarët nuk kishin vërtetuar ndalimin e azilkërkuesve të sjellë në objektet shqiptare. Qeveria italiane u ndalua disa herë nga gjykatat për të sjellë emigrantë në Shëngjin dhe Gjadër. Shkak i ndalimit dhe kthimit të emigrantëve ishin listat e vendeve të origjinës së azilkërkuesve, ku qeveria italiane pretendonte se nuk duhet të ketë një listë të unifikuar për të gjitha shtetet e BE.

Në vitin 2023, kryeministrja italiane Giorgia Meloni dhe kryeministri shqiptar Edi Rama arritën një marrëveshje për ndërtimin e këtyre qendrave, me qëllim që Italia të menaxhojë fluksin e emigrantëve jashtë territorit të saj, duke shfrytëzuar Shqipërinë si një qendër pritjeje.

Kjo marrëveshje ngjalli kritika të shumta nga organizatat ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, të cilat e shohin këtë projekt si një përpjekje për të zhvendosur problemin e emigrantëve në vende më të dobëta në aspektin ligjor dhe ekonomik.

Më 30 dhjetor 2024, Gjykata e Kasacionit në Itali i dha të drejtë Giorgia Melonit dhe kabinetit të saj të cilët pretendojnë se secili shtet duhet të ketë një listë të personalizuar të vendeve të sigurta dhe të pasigurta.

Ndër të tjera, për pjesën e listës së vendeve të sigurta, Gjykata e Kasacionit tha se gjyqtarët e çështjeve të secilit rast nuk zëvendësojnë vlerësimin, i cili në përgjithësi është përgjegjësi vetëm e Ministrit të Jashtëm dhe Ministrave të tjerë.