Roma, Porto, Inter…; nis “triptiku” i ferrit për Piolin dhe Milanin

0

Pasi është regjistruar edhe masa e suksesit kundër Torinos, Milani e gjen veten para sfidës më të vështirë të këtij kampionati. Kuqezinjtë do të sfidojnë Romën në “Olimpico”. Supersfida, e planifikuar për nesër në mbrëmje, prezantohet nga Stefano Pioli në konferencën për shtyp:

“Roma është e pamposhtur në shtëpi, e vetmja që barazoi me Napolin, ka talent, cilësi dhe karakter. Është një kundërshtar i fortë. Të gjitha ndeshjet janë provime, ne përgatitemi për të kaluar një provim të vështirë. Besojmë se jemi të përgatitur mirë dhe gati. Roma ka mentalitet dhe karakter të madh.

Situata me dëmtimet? Brahim është padyshim më mirë, ka bërë një javë pothuajse të plotë stërvitore. Do të shohim nesër për formacionin. Të dy, Zlatan dhe Olivier janë më mirë, gjendja e tyre po përmirësohet. Njëri do të luajë nga fillimi, tjetri gjatë ndeshjes. Rebiç nuk është në dispozicion për nesër”.

Për vështirësitë që pati në fitoren e së martës ndaj Torinos, trajneri u shpreh duke nënvizuar se nuk shqetësohet: “Kundërshtarët ndryshojnë dhe bashkë me to vështirësitë. Me Torinon dribluam më pak se zakonisht. Nuk mendoj se luajtëm keq, por duhet të kujtojmë se ka kundërshtarë që i përgatisin mirë ndeshjet. E rëndësishme është të kesh një ndeshje të mirë, ide dhe të marrësh rezultatin pozitiv”.

Tema e nxehtë janë rotacionet në formacion për shkak të angazhimeve të shumta e të ngjeshura. Krahas ndeshjes ndaj Romës dhe sfidës europiane kundër Portos, kuqezinjtë i pret derbi ndaj Interit, planifikuar për të dielën e ardhshme:

“Ne kemi katër mesfushorë. Bakayoko ndihet shumë më mirë dhe shpresoj se mund të jetë titullar së shpejti. Të tria ndeshjet e ardhshme janë të rëndësishme, por le të mendojmë për nesër mbrëma. Rotacionet janë të domosdoshme në këtë situatë, por mbi të gjitha duhet të kemi ide, identitet dhe passion”.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu