Sa shanse ka mazhoranca që të arrijë 94 vota në Kuvend, kush janë deputetët që janë deklaruar pro presidentit

0

Seanca e kësaj të mërkure në Kuvend, është e pazakontë jo vetëm nga dita në të cilën zhvillohet, por edhe nga rendi i ditës, që ka për objekt shkarkimin e presidentit të Republikës, që do të ishte në fakt rasti i parë në këtë periudhë post trazicioni.

Seanca pritet të nisë në orën 10:00 dhe fillimisht do të ketë një lexim të raportit të Komisionit Parlamentar Hetimor për shkarkimin e presidentit dhe më pas do të kalohet në votim. Shkarkimi i Metës duhet të bëhet me shumicë të cilësuar, që nënkupton 94 vota, që për mënyrën si janë pozicionuar deputetët duket të jetë e thjeshtë për t’u arritur.

Mazhoranca dhe opozita, që vetëm e tillë nuk mund të quhet në disa raste, kanë treguar dhe më herë sinjale bashkëpunimi, ndërkohë që për votimin e Metës janë shprehur pro Myslim Murrizi apo Kujtim Gjuzi, që duket të ishin disi më opozitarë se opozitarët e tjerë.

Mes deputetëve që pritet të votojnë kundër për shkarkimin e Metës, një pjesë e të cilëve e kanë deklaruar edhe publikisht janë Adriatik Alimadhi, Lefter Maliqi, Fatjona Dhimitri apo Elda Hoti, por megjithatë duket se është e pamundur që të bllokohet shkarkimi.

Por seanca e sotme në Kuvend duket të jetë vetëm pikënisja e një serie përplasjesh të reja institucionale, pasi presidenti Ilir Meta është shprehur se nuk do të njohë asnjë vendim të parlamentit aktual, të cilin e ka konsideruar antikushtetues.

Meta ka thënë se çdo vendim i marrë prej tij është nul, ndërsa shkarkimi pritet që të jetë një objekt shqyrtimi i Gjykatës Kushtetuese, e cila padyshim do të jetë nën një presion të jashtëzakonshëm, njëjtë me vendimin që pritet të japë për vlefshmërinë e zgjedhjeve lokale të 2019-tës.

RENDI I DITËS NË KUVEND:

Në mbështetje të Urdhrit nr. 26, datë 4.6.2021 të Kryetarit të Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, rendi i ditës është si më poshtë vijon:

Projektvendim “Për miratimin e raportit përfundimtar të Komisionit Hetimor të Kuvendit “Për hetimin e shkeljeve të rënda kushtetuese nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë” së bashku me anekset e tij”. (Neni 112, pika 4 Rregullore Kuvendi, neni 22 e ligjit nr. 8891, datë 2.5.2002 “Për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore të Kuvendit”, votim i hapur, shumicë e thjeshtë votash për miratim.)

Projektvendim “Për shkarkimin nga detyra të Presidentit të Republikës për shkak të shkeljeve të rënda të Kushtetutës”. (Neni 90, pika 2 e Kushtetutës, neni 112, pika 4 e Rregullores së Kuvendit, votim i fshehtë, shumicë e cilësuar, jo më pak se 2/3 e të gjithë anëtarëve të Kuvendit) – Paraqitja e raportit nga kryetari i komisionit hetimor – Sipas nenit 112, pika 4 të Rregullores “Në rast se kërkohet nga Presidenti i Republikës për t’u dëgjuar në seancë plenare, Kuvendi është i detyruar ta dëgjojë atë” – Pyetje – Zhvillimi i debatit (Sipas minutazhit të përcaktuar me vendimet nr. 30, datë 25.11.2020 dhe nr. 7, datë 31.05.2021 të Konferencës së Kryetarëve) – Koha e votimit të projektvendimeve.

Socialistët kanë kërkuar ta përdorin momentin për shkarkimin e presidentit për ti shkelur syrin Partisë Demokratike, të cilës i kanë shtrirë dorën për ti dhënë edhe këtë post në mënyrë konsensuale. Deri tani oferta është refuzuar, sa kohë që nuk kishim një shkarkim, mbetet për t’u parë se çfarë qëndrimi do të mbajë Lulzim Basha, i cili është nën ethet e brendshme të garës për kryetar, e cila pritet që të finalizohet të dielën.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu