Sekuestrimi i 300 kg kokainë në Portin e Durrësit, shoferi kamionit: Nuk kam dijeni për drogën

0

Plot 300 kilogramë lëndë e dyshuar kokainë u kapën në Portin e Durrësit nga Task Forca e Portit. Burime bëjnë me dije se Italia ishte destinacioni i radhës i kamionit që drejtohej nga një shtetas nga Maqedonia e Veriut.

Shoferi është identifikuar si Nazif Ajroski, 40 vjeç dhe ka mohuar të ketë dijeni mbi ngarkesën e paligjshme.

 “Si rezultat i kontrolleve të shtuara me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e  trafikimit të lëndëve narkotike, bazuar edhe në analizën e riskut të bërë nga Task Forca  permanente e përbërë nga Policia Kufitare e Portit të Durrësit, Policia Kriminale e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës dhe nga autoritetet doganore të Portit, e cila vepron në Portin e Durrësi, në bazë të dyshimeve të krijuara nga  kjo Task Forcë kanë kaluar për kontroll të detajuar në vijën e dytë në dalje një kamion transit me targa të Maqedonisë së Veriut.

Si rezultat i kontrollit të imtësishëm të ushtruar në kamionin që drejtohej nga një shtetas nga Maqedonia e Veriut, Task Forca gjeti të fshehur në trupin e kamionit, një sasi rreth 300 kilogramë lëndë narkotike të dyshuar kokainë, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale”, njofton policia.

Ndërsa grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës vijon veprimet hetimore për dokumentimin e plotë kësaj veprimtarie kriminale, identifikimin dhe kapjen e personave të  tjerë të përfshirë në të.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu