Sekuestrimi i pronës me vlerë mbi 1 milion euro në Vlorë/ Si u bë falsifikimi i dokumentit nëpërmjet një akti blerjeje të 80 viteve më parë!

0

Rreth 4 mijë metra katror tokë janë sekuestruar në Vlorë me urdhër të Gjykatës. Hetimi nisi më 23 dhjetor të vitit 2020, pasi regjistrimit të kallëzimit penal të shtetasit, F.M. Prona me vlerë mbi 1 milion euro, ishte regjistruar në emër të shtetasit, Adhurim Demiri.

Sipas akteve rezulton se kallëzuesi është një nga bashkëpronarët e pasurisë truall, me sipërfaqe 300m2 të ndodhur në lagjen “Uji i Ftohtë” Vlorë.

“Nga verifikimet e kryera nga ana e kallëzuesit, është konstatuar se një pjesë e pasurisë së tij që ai kishte të regjistruar, i ishte njohur në pronësi personave të tjerë, të cilët e kishin fituar atë nëpërmjet një procesi gjyqësor. Pasuria në fjalë ndodhet pranë hotel ‘New York’, në afërsi të zonës turistike ku po ndërtohet pjesa e dytë e projektit ‘Lungo Mare’ në qytetin e Vlorës”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

SI U BË FALSIFIKIMI

Prokuroria sqaron se pronësia mbi truallin është bërë nëpërmjet një vendimi gjykate, ku personi përfitues ka paraqitur një dokument të vitit 1942, sipas të cilit prona ishte blerë me 1200 franga ari.

“Rezulton se dokumenti i origjinës mbi bazën e të cilit personat e kallëzuar kanë fituar pronësinë mbi pasurinë e mësipërme, është ‘nota e transkriptimit’ e datës 04/04/1942, në favor të shtetasit R. D., kundër zyrës së thesarit të shtetit, ku objekt i saj është blerja prej tij e një sipërfaqe trualli prej 5 vreten, kundrejt vlerës 1200 franga ari, regjistruar në radhorin me nr. 232/4, vol. 12, neni 104, faqe 106.

Nga verifikimet e kryera nga ana e kallëzuesit pranë institucioneve të ndryshme si ASHK Vlorë, ka rezultuar se dokumenti i mësipërm nuk ekziston, por sipas numrit të radhorit ekziston vetëm 107 datë 14/04/1942 dhe neni 108 datë 20/05/1942”, thuhet në dosje. Kallëzuesi ka kërkuar fillimin e ndjekjes penale me pretendimin se dokumenti i mësipërm, mund të ishte falsifikuar nga ana e personave që kishin përfituar pasurinë e mësipërme.

Nga hetimet e kryera pas regjistrimit të këtij procedimi penal, nga analiza e të dhënave të administruara për nevoja të hetimit të këtij procedimi penal; administrimi i dokumentacionit përkatës; dëshmive që lidhen me faktin e hetuar; si dhe konkluzionet e aktit të ekspertimit teknikgrafik të kryer gjatë hetimeve, duke i vlerësuar ato në harmoni dhe unitet me njëra tjetrën, nga ana jonë si organ procedues, arrihet në konkluzionin se në rastin konkret ndodhemi përpara elementëve të veprës penale të “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”. Rezulton e provuar, se trashëgimtarët e shtetasit G.D.

“Konkretisht, shtetasi Adhurim Demiri, ka falsifikuar dokumentin ‘Notë transkriptimi’ e datës 04.04.1942, në favor të R. D., kundër zyrës së thesarit të shtetit, përpiluar nga noter A. A., dokument i cili sipas aktit të ekspertimit teknikografik me nr.12299 datë 07/ 10/2022 të kryer nga ana e Institutit të Policisë Shkencore Tiranë, rezultoi tërësisht i falsifikuar”, thuhet më tej.

Rezultoi e provuar se dokumenti i mësipërm i falsifikuar, është përdorur në proceset administrative dhe gjyqësore, konkretisht pranë Agjencisë së Trajtimit të Pronave Tiranë (2013); Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë (2016); Gjykatës së Apelit Vlorë (2018) dhe ka qenë dokumenti bazë dhe kryesor që ka shërbyer për njohjen dhe kthimin e pronës dhe që ka diktuar vendimmarrjen e Gjykatës lidhur me pasurinë objekt gjykimi, me sipërfaqe prej 6480m2, nga të cilat 3996m2 ka rezultuar e lirë, ndërkohë që pjesa tjetër ka rezultuar e zënë me ndërtime. Më tej, mbi këtë pasuri janë kryer veprime juridike me qëllim fshehjen/mbulimin e natyrës së paligjshme të pasurisë së përfituar me anë të dokumenteve të falsifikuara.

Në funksion të këtij procedimi penal, është kërkuar pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, caktimi i masës së sigurimit pasuror “Sekuestro Preventive”, lidhur me pasurinë e mësipërme, e cila është regjistruar pranë ASHK Vlorë mbi bazën e përdorimit të dokumentit të falsifikuar dhe më 3 nëntor, kërkesa është pranuar nga Gjykata. Vlera e pasurisë së sekuestruar sipas përllogaritjeve bazuar mbi çmimet e tregut, kap shifrën prej 1.200.000 euro.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu