‘Sëmundja misterioze e diplomatëve amerikanë’, Blinken: Nuk e dimë se çfarë ka ndodhur me të prekurit

0

Prej kohësh një sëmundje misterioze ka prekur diplomatët amerikanë. Mediat raportojnë se katër diplomatë të tjerë që punojnë në Gjenevë dhe Paris janë sëmurë nga një sëmundje e dyshuar neurologjike e njohur si “sindroma e Havanës”.

Tre diplomatë u sëmurën në qytetin zviceran dhe një në kryeqytetin francez verën e kaluar, me rreth 200 persona të prekur gjatë pesë viteve të fundit.

Sekretari i Shtetit Antony Blinken tha se qeveria amerikane po punonte për të zbardhur misterin e kësaj sëmundjeje, që prek vetëm diplomatët e saj.

Ekziston mundësia e një sulmi që mund të ketë vënë në shënjestër diplomatët përmes teknologjisë me valë, që mund të shkaktojnë çrregullime nervore. Blinken tha se kjo çështje ishte ngritur si shqetësim me Rusinë, por nuk ishte marrë asnjë përgjigje pas nga Moska.

Sindroma e Havanës u shfaq për herë të parë në Kubë në 2016 dhe ka prekur diplomatët, spiunët, zyrtarët dhe anëtarët e familjes së amerikanëve të punësuar në ambasada dhe konsullata në mbarë botën, si dhe një numër të stafit diplomatik kanadez të vendosur në Kubë.

Disa nga personat që përjetuan sindromën kanë dëshmuar se mbetën me marramendje dhe lodhje për muaj të tërë. Rastet e fundit përfshijnë një person i cili u evakuua nga Zvicra në SHBA për trajtim, thonë mediat.

Sekretari Blinken i tha MSNBC në një intervistë se ai kishte takuar punonjës të Departamentit të Shtetit në mbarë botën, të cilët kishin përshkruar sëmundjet e tyre dhe se si jeta e tyre kishte ndryshuar tmerrësisht për keq pas shfaqjes së kësaj sindrome.

Njerëzit, tha ai, ishin “prekur drejtpërdrejt dhe fuqishëm”.

“Deri më sot, ne nuk e dimë saktësisht se çfarë ka ndodhur dhe nuk e dimë saktësisht se kush është përgjegjës”, tha ai për MSNBC.

Rusia, Kina dhe vetë SHBA thuhet se kanë hulumtuar mikrovalët për qëllime ushtarake, por Moska i ka hedhur poshtë akuzat se ka përdorur “armë me mikrovalë” kundër misioneve amerikane si “hipoteza fantastiko-shkencore”.

Një teori tjetër thotë se diplomatët dhe punonjësit e misioneve amerikane po pësojnë këto çrregullime për shkak të ngarkesës së madhe në punë, lodhjes dhe stresit.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu