Si arriti një sipërmarrëse e padiplomuar të bëhet miliardere me një shërbim që në fund rezultoi i rremë

0

Elizabeth Holmes është bërë famëkeqe në rrethet e teknologjisë dhe start-up-eve në SHBA, teksa përvetësoi miliarda dollarë për një investim, i cili rezultoi të ishte i rremë.

Holmes la studimet në Universitetin e Standford-it për të themeluar kompaninë e saj “Theranos”, që kishte për qëllim “demokratizimin e kujdesit shëndetësor”. Ajo shpresonte të krijonte një metodë të re për testet e gjakut dhe nëpërmjet pak pikave të marra nga maja e gishtit, të mund të nxirrte informacione të rëndësishme për shëndetin e një individi duke shmangur kështu nevojën për teste të tjera apo përdorimin e gjilpërave.

Ajo imitoi stilin e themeluesit të “Apple”, Steve Jobs, duke u veshur me golfe të zinj dhe duke bërë prezantime të stilit Jobs për produktin e saj, që ashtu si “iPhone” në fushën e teknologjisë, u cilësua “revolucionar” në fushën e mjekësisë. Holmes arriti që prej vitit 2004, kur themeloi kompaninë, dhe deri në fund të vitit 2010 të mbledhë plot 92 milionë dollarë në investime, duke u bërë një nga kompanitë me më shumë fitime në SHBA. Ajo u shfaq në kopertinën e revistave prestigjioze si “Forbes”, “New York Times”, “Fortune”, etj. dhe u njoh si një nga mendjet më brilante të fushës së saj.

Por, situata ndryshoi kur John Carreyrou i “Wall Street Journal” filloi një hetim sekret, pasi ishte informuar nga burimet e tij se metoda e testit të gjakut ishte “e dyshimtë”. Carreyrou foli me ish-punonjës, shqyrtoi dokumentat dhe në tetor 2015 publikoi një shkrim që fundosi Holmes. Kompania e saj kishte manipuluar shifrat për të nxjerrë rezultate më të mira, kishte përdorur fshehur makineri të patentuara nga kompani të tjera dhe pas hetimeve zyrtare të FBI, kompania e saj u shkri dhe asetet u konfiskuan.

Ajo tani përballet me akuzat për korrupsion, manipulim të tregut dhe mashtrim në gjykatën e San Francisco-s, një proces që nuk ka filluar për shkak se ka mbetur peng i teknikaliteteve dhe detajeve juridike. Këtë javë, grupi i avokatëve të Holmes kanë kërkuar që çdo anëtar jurie t’i nënshtrohet një testi që vërteton se asnjë prej tyre nuk ka marrë informacione negative për Holmes në rrjetet sociale (çka është efektivisht e pamundur), pasi diçka e tillë do të bënte që juria të ishte e anshme dhe e padrejtë. Kjo kërkesë mbetet për t’u shqyrtuar nga gjykatësi i çështjes.

Në rast se shpallet fajtore për të gjitha akuzat që rëndojnë mbi të, Holmes mund të vuajë dënim me burg mbi 10 vjet, të mos ketë më asnjë aset në emrin e saj dhe t’i ndalohet përgjithmonë blerja apo menaxhimi i aksioneve në bursën amerikane.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu