Situata në Veri, Macroni fton Kurtin dhe Vuçiçin në Paris! Ja si përgjigjet Kryeministri i Kosovës

0

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka njoftuar se ditën nesërme pritet të udhëtojë drejt Parisit së bashku me bashkëshorten në kuadër të Forumit të Paqes.

Përmes një deklarate të postuar në rrjetin social Facebook, Kurti bën me dije se i pranishëm në forumin e Parisit do të jetë dhe presidenti serb Aleksandër Vuçiç, me të cilin mund të ketë një takim trilateral, ku me shumë gjasa i pranishëm do të jetë dhe presidenti Macron.

“Nesër, pra të enjten, herët në mëngjes do të nisem për Paris për të marrë pjesë në Forumin e Paqes, bashkë me gruan time Ritën, e me ftesë të Presidentit Francez Emmanuel Macron. Përveç punimeve dhe darkës përgjatë këtij forumi prestigjioz, ndoshta mund të ketë edhe një takim trilateral me Presidentin e Serbisë i cili po ashtu është ftuar atje. Unë me vete do të kem ekipin tim gjashtëanëtarësh nga kryeministria”, ka shkruar Kurti.

Kurti deklaron se është i gatshëm dhe i përgatitur për një marrëveshje përfundimtare me njohje reciproke me Serbinë. Ai shtoi se i ka dy propozime të cilat pritet t’i hedhë në tavolinë në takimin e Parisit.

“Jam i gatshëm sepse i përgatitur, dhe gjithnjë i interesuar, për dialog për marrëveshje, për normalizim të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë, me njohjen reciproke në qendër. I kemi dy propozime në tavolinë: ai imi për kornizën e përgjithshme të marrëveshjes i prezantuar në takimin e 18 gushtit 2022 në Bruksel, si dhe propozimi franko-gjerman që ka mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, i prezantuar nga emisarët Jens Plötner dhe Emmanuel Bonne”, tha Kurti.

Ai shtoi: “Dialogu parimor me të tjerët, sundimi i ligjit njësoj për të gjithë, dhe, paqja e siguria në tërë territorin, shkojnë bashkë”.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu