Policia e Elbasanit zhvillon orë edukative në shkollat e qytetit. Policia e Elbasanit ka organizuar orë edukative në shkollat 9-vjeçare të qytetit, me synim ndërgjegjësimin e nxënësve për pasojat negative të përdorimit të duhanit, alkoolit dhe drogës.
Në një postim në rrjetet sociale, Drejtoria Vendore e Policisë së Elbasanit thekson se këto aktivitete janë zhvilluar në kuadër të marrëveshjes së bashkëpunimit mes Ministrisë së Arsimit dhe Sportit dhe Ministrisë së Brendshme, për zbatimin e programit “Siguria e të rinjve”.
Orët edukative janë mbajtur në shkollat 9-vjeçare “Jorgji Dilo”, “Ptoleme Xhuvani” dhe “Fejzullah Guranjaku”, me temën “Stop Duhanit, Alkoolit dhe Drogës”.
“Nxënësit u informuan për pasojat e rënda që sjell përdorimi i duhanit, alkoolit dhe drogës dhe u inkurajuan të bëjnë zgjedhje të shëndetshme për jetën e tyre. Duhani nuk të rrit më shpejt, të plak më shpejt! Alkooli nuk jep zgjidhje, por krijon probleme! Droga vret gëzimin, shpresën, mendjen dhe trupin! Mbrojtja e shëndetit të rinisë është prioriteti ynë!”, përfundon postimi i Drejtorisë Vendore të Policisë së Elbasanit.