“Të përdhunuar në Internet: Industria e Internetit përballë mbrojtjes së fëmijëve dhe adoleshentëve në Shqipëri!”,nga Klaudio Pulaha

0

Flet Klaudio PULAHA, menaxher rasti pranë BARNAHUS Shqipëri

Data 9 shkurt shënon ditën ndërkombëtare të internetit të sigurt,prandaj në kuadër të kësaj dite zhvilluam një intervistë informuese, me qëllim sensibilizimin e përdoruesëve të internetit, të mëdhenj apo të vegjël qofshin ata. Së bashku me ne ishte dhe Z. Klaudio PULAHA, menaxher rasti pranë BARNAHUS Shqipëri.

1. Le të nisim me një pyetje sqaruese, në menyrë që dhe publiku ynë të jetë i qartë. Çfarë është “Dita e Internetit të Sigurt”?
Ndër vite, Dita e Internetit të Sigurt është bërë një nga eventet e shënuar në kalendarin e sigurisë në internet. Duke filluar si një iniciativë e projektit EU SafeBorders në 2004 dhe duke vijuar nga rrjeti Insafe si një nga eventet e saj më të hershme në vitin 2005, Dita e Internetit të Sigurt është rritur përtej zonës së saj tradicionale gjeografike dhe tani shënohet në afërsisht 170 vende të botës. Çdo vit Dita e Internetit të Sigurt synon të rrisë ndërgjegjësimin lidhur me çështjet dhe shqetësimet në internet.

2. Cili ishte qëllimi i aktivitetit të sotëm?
Forumi i 6-të kombëtar mbi sigurinë online të fëmijëve kishte si qëllim nëpërmjet diskutimeve dhe shkëmbimit profesional të ideve të nxisë e të krijojë një platformë të mirëfilltë kombëtare në të cilën të gjithë aktorët që janë përfshirë në mbrojtjen e fëmijëve nga dhuna seksuale në internet, të luajnë denjësisht rolin e tyre dhe të ndihmojnë e mbrojnë viktimat e mitur nga pedofilët.
Të gjithë së bashku duhet të kërkojmë një qasje tërësisht të re ndaj dhunës seksuale të fëmijëve në internet. Të gjitha institucionet së bashku me industrinë e internetit dhe shoqërinë civile, kanë nevojë të ulen dhe të zbatojnë masa konkrete të mbrojtjes dhe trajtimit të rasteve ku fëmijët dhe adoleshentët dhunohen seksualisht në internet. Nuk duhet të ndodhë më që fëmijët dhe adoleshentët e dhunuar seksualisht në internet të lihen në harresë!
Për këtë arsye, përgjatë forumit u bë dhe prezantimi I gjetjeve kryesore të Raportit të 3-të Kombëtar “Të përdhunuar në Internet: Industria i Internetit përballë mbrojtjes së fëmijëve dhe adoleshentëve në Shqipëri!”.

3. A lundrojmë ne sot të sigurt në internet?
Në ditët e sotme interneti është kthyer rëndom në kryefjalën e përdorimit në të gjitha fushat, përfshi këtu mësimin në distancë, socializimin dhe mbajtjen e marrëdhënieve shoqërore mes fëmijëve dhe adoleshentëve dhe më gjerë në Shqipëri dhe botë. Padiskutim ky përdorim i gjerë i internetit shoqërohet me rreziqe të shumta të cilat përfshijnë vjedhjen e adresave të rrjeteve sociale, hapjen e adresave fallco në emrin tuaj, marrjen e fotove pa lejen tuaj, ngacmimet seksuale e deri tek përndjekja.
Vetëm gjatë vitit 2020 situata e internetit të pasigurt për fëmijët dhe të rinjtë në vendin tonë u shfaq si asnjëherë tjetër më parë në shifra tepër alarmante. Ky vit u shoqërua me një prej ngjarjeve më të veçanta jo vetëm për Shqipërinë, por dhe për të gjithë botën, pandeminë COVID-19. Në këtë situatë përdorimi i internetit pati një përhapje të tejskajshme, duke e kthyer sigurinë e përdorimit të tij në një prej çështjeve më të përfolura dhe më të ndjekura për të gjithë grupmoshat apo edhe grupet e interesit.

4. Të gjithë jemi në dijeni që ekzistojnë fenomene të tilla si cyber bullying,vjedhja e të dhënave personale,abuzime e ngacmine online. Cila grupmoshë ka tendencën më të madhe për të rënë pre e predatorëve të internetit?
Mosha kryesore dhe më e prekur nga abuzimi, bullizmi apo vjedhja e identitetit etj, në internet është ajo 15-17 vjeç (me 79 raportime) e ndjekur nga persona mbi moshën 18 vjeç (me 61 raste), si dhe me më pak fëmijë të grupmoshës 11-14 vjeç (me 18 raste). Ndërkohë ka patur vetëm një raportim nga fëmijë të grupmoshës 7-10 vjeç, si dhe 4 raste nga fëmijë apo persona të cilët nuk kanë deklaruar moshën. Të gjitha raportimet e ardhura pranë Platformës ISIGURT.al janë trajtuar, informuar apo referuar sipas specifikave të rastit.

5. Dimë gjithashtu që jane kryer shumë studime që trajtojnë këto çështje. Çfarë mund të na thoni për tendencën e këtyre fenomeneve? A ka ulje të numrit të rasteve apo gjendja është duke shkuar drejt shifrave shqetësuese?
Në muajt e para të vitit 2020 platforma raportuese ISIGURT.al dhe CRCA/ECPAT Shqipëri u përballën me një rritje te jashtëzakonshme të numrit jo vetëm të faqeve me përmbajtje pornografike më të mitur të aksesuara nga fëmijët dhe adoleshentët, por edhe me një rritje të madhe të rasteve të gjuhës së urrejtjes, kërcënimit, shantazhimit dhe bullizmit nëpërmjet rrjeteve sociale online.
Deri në muajin Maj 2020, periudhë kjo që përkoi me mbylljen e detyruar të Shqipërisë brenda një karantine dhe kushte tërësisht të ndryshme, si për arsimimin, punën ashtu dhe për jetën sociale të shqiptarëve, numri i faqeve me përmbajtje ponrografike më të mitur në internet u rrit mbi 100 fish krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2019. Ndërkohë në total përgjatë vitit 2020, pranë Platformës Kombëtare ISIGURT.al pati mbi 6150 video, foto, faqe që dhunonin seksualisht fëmijët dhe adoleshentët, i vendosnin ata në kushte shantazhuese, kërcënuese dhe bullizuese të krijuara nga persona të njohur dhe të panjohur që kishin për qëllim dhuminin dhe cënimin e të drejtave të fëmijëve dhe adoleshentëve anembanë vendit.

 

6. Bazuar në këto studime, cilat konsiderohen si rrjetet (aplikacionet) më të rrezikshme?
Shqipëria është një vend që ka përqafuar teknologjinë prej vitesh. Ndërsa fëmijët dhe të rinjtë në vend duket se janë ndër përdoruesit kryesorë të internetit, duke përfshirë këtu të githa platformat e tij. Por vendi ynë është shumë i ri përsa i përket eksperiencës së mënyrave që duhet të krijohen në mbrojtje të fëmijëve dhe të rinjve si përdorues të internetit.
Referuar Raportit të 3-të Kombëtar “Të përdhunuar në Internet: Industria i Internetit përballë mbrojtjes së fëmijëve dhe adoleshentëve në Shqipëri!”, Instagram, Youtube dhe Facebook përbëjnë tre platformat kryesore të ankesave të fëmijëve dhe të rinjve për dhunë, bullizëm, abuzim apo vjedhje të profilit

7. Marrim një shembull sikur një fëmijë ose individ në moshë madhore ka rënë pre e një predatori online. Ku mund të drejtohen këta individë për të shprehur shqetësimin e tyre?
Platforma Kombëtare për Internet të Sigurt u hap zyrtarisht në Tetor 2015, nga CRCA Shqipëri, në faqen e internetit www.ISIGURT.al dhe si aplikacionin për telefonat celularë me të njëjtin emër. Platforma që klasifikohet si një hotline (linjë për raportuar dhe kërkuar ndihmë) është një hapësirë e dedikuar, e cila shërben si një burim unik informacioni, manualesh, udhëzuesish në lidhje me internetin e sigurt për fëmijët, prindërit, mësuesit, profesionistët që punojnë me/për fëmijët për të mbrojtur fëmijët nga abuzimi dhe shfrytëzimi online.
Qëllimi i Platformës është të bashkërendojë përpjekjet për të identifikuar dhe për të mbrojtur fëmijët viktima, për të identifikuar materialet e paligjshme dhe ato me përmbajtje të papërshtatshme për fëmijët në internet, për të informuar prindërit mësuesit, fëmijët etj, si dhe për të forcuar bashkëpunimin ndër-institucional. Misioni kryesor i platformës është raportimi i faqeve me përmbajtje të paligjshme dhe të dëmshme për fëmijët dhe të rinjtë në Shqipëri.
Rubrika RAPORTO mbron fëmijët nga abuzimi online, duke marrë, analizuar dhe referuar ankesa nga fëmijët, prindërit, mësuesit, profesionistët që punojnë me/për fëmijët apo çdo person tjetër i interesuar për të raportuar abuzimet online dhe duke i referuar të gjitha ankesave pranë agjensive përkatëse të zbatimit të ligjit dhe institucionet e tjera që ofrojnë shërbime për çështjet e abuzimit online.
Linja Kombëtare e Telefonit të Ndihmës për Fëmijët – ALO 116111 është një shërbim falas këshillimi dhe referimi për fëmijët. Ky shërbim komunikon me fëmijët nëpërmjet numrave: 116111 – Linja Kombëtare e Këshillimit për Fëmijë dhe ALO 116000 – Linja Kombëtare e Telefonit për Fëmijët e Humbur.
Linja Kombëtare e Telefonit për Fëmijë është një instrument që ka për qëllim të këshillojë fëmijët përmes telefonit dhe të referojë nevojat e tyre në institucionet përkatëse. ALO 116 si një shërbim i ri dhe unik në të gjithë Shqipërinë synon ngritjen e standarteve dhe procedurave të duhuar në funksion të një shërbimi cilësor për fëmijët. Vlerësimi dhe marrja në konsideratë e zërit të fëmijëve nëpërmjet ndërgjegjësimit të të gjithë partnerëve qendrorë dhe lokalë që punojnë me/për fëmijët, është moto e punës së ALO 116.
ALO 116 është një mundësi për çdo fëmijë që të ndihmohet në një moment delikat të jetës së tij/saj. Linja e Këshillimit për Fëmijët është një vend, ku e drejtat e çdo fëmije për t’u dëgjuar, për t’u shprehur, për tu informuar dhe për të informuar mbi situatën e tij/saj respektohet dhe ai/ajo merr shërbimin e duhur, të ofruar nga një staf i kualifikuar.
Shërbimi përqëndrohet te fëmijët në nevojë si: fëmijët e dhunuar, abuzuar apo keqtrajtuar, fëmijët në situatë rruge, fëmijët që shfrytëzohen në punë, fëmijët që janë në konflikt me ligjin etj. Ky shërbim përfshin dhe prindërit, mësuesit, edukatorët apo personat e interesuar për çështje lidhur me dhe për fëmijët. Misioni i ALO 116 është t’u gjendet pranë fëmijëve në momentet e tyre më të vështira, duke mbrojtur dhe avancuar çështjen e të drejtave të fëmijëve në Shqipëri. Ne punojmë që të mbrojmë mirëqenien e fëmijës, nëpërmjet këshillimit me telefon, referimit dhe mbrojtjes pro-aktive të të drejtave të fëmijëve.
Qendra Kombëtare për Internet të Sigurt në Shqipëri, ka si mison të saj mundësimin e internetit të sigurt për këdo, sidomos për fëmijët dhe të rinjtë. Ajo punon për rritjen e informimit, ndërgjegjësimit dhe këshillimit të përdoruesve të internetit për rreziqet me të cilat ata përballen online. Qendra do të nxisë krijimin e kulturën e kujdesit, mbrojtjes dhe respektit edhe në botën virtuale.
Qendra ka në përbërje të saj organizata, grupime dhe shërbime kombëtare, si: CRCA Shqipëri, Platformën ISIGURT.AL, Qendrën Kombëtare për Fëmijët e Humbur, Parlamentin Rinor Tiranë, Koalicionin e Arsimit për Fëmijët në Shqipëri dhe Rrjetin Kombëtar për të Drejtat e Fëmijëve. Qendra koordinon shërbimet e saj me Linjën Kombëtare të Telefonit të Ndihmës në Shqipëri, Njësitë e Mbrojtjes së Fëmijëve, Policinë e shtetit dhe industrinë e internetit.

Përgatitur nga Enia Hoxha