Tërmeti 6 ballë në Greqi, dëmtohen 6 banesa në Devoll, të vjetra dhe të amortizuara

0

Tërmeti i fuqishëm që tronditi vendin fqinj Greqinë, u ndie edhe në Shqipëri, veçanërisht në zonën e Korçës dhe Pogradecit, ku raportohet se ka pasur disa banesa të dëmtuara.

Kështu, në disa fshatra të Devollit, raportohen 6 banesa të dëmtuara, të cilët janë banesa të vjetra dhe të amortizuara.

Banesat e dëmtuara raportohen përkatësisht dy në Bilisht, dy në Mancurisht dhe dy të tjera në fshatin Shuec. Ndërkohë, si pasojë e lëkundjeve të tërmetit, fatmirësisht nuk raportohen dëme në njerëz.

Tërmeti me intensitet 6 ballësh dhe magnitudë 5.6 të shkallës Rihter shkundi mbrëmjen e kaluar shtatë shtete, përfshirë dhe Shqipërinë. Tërmeti me epiqendër në Follorinë, qytet në veri të Greqisë në kufi me Maqedoninë e Veriut është ndjerë deri në Kosovë. Shtetet e prekura nga lëkundjet janë: Bullgaria, Mali i Zi, Serbia, Shqipëria, Greqia dhe Maqedonia e Veriut dhe Kosovë. Tërmeti me thellësi 14.3 km është ndjerë në shumë zona të Greqisë se Veriut, në krahinën e Maqedonisë Perëndimore, Qëndrore deri në Selanik, por edhe me tej në jug deri në qytetet e Trikallas dhe Larisës. Banorë të Follorinës kaluan natën jashtë banesave të tyre pasi kishin frikë për të qëndruar brenda. Lëkundjet janë ndjerë në Tiranë, Durrësi, Fieri, Elbasan, Berat, Vlorë, Korçë e Gjirokastër. IGJEUM nuk raporton dëme, por shkruan se zona rreth 5 kilometra në lindje të Pogradecit e ka ndjerë më shumë lëkundjen e fuqishme.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu