“Ti nuk je vetëm”, Policia e Shtetit takim me mësuesit dhe nxënësit në gjimnazin “Mahir Domi” në Elbasan

0

Në moton “Ti nuk je vetëm”, “Ti nuk je i/e vetmja!” dhe “Bashkë mposhtim çdo gjë, edhe dhunën!”, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, në gjimnazin e përgjithshëm “Mahir Domi”, në Elbasan u zhvillua një takim i gjerë sensibilizues.

Në këtë takim morën pjesë 50 nxënës që ndjekin shkollën me kohë të pjesshme, drejtoresha e shkollës, psikologë, përfaqësues të Policisë së Shtetit, përfaqësues të organizatës Forumi i Gruas Elbasan dhe punonjës socialë.

Në fokus të këtij takimi ishte ndërgjegjësimi i shoqërisë, për të denoncuar rastet e dhunës. Pjesëmarrësit në takim, drejtoresha e shkollës, psikologia, punonjësja sociale dhe përfaqësuesja e organizatës Forumi i Gruas Elbasan, përcollën mesazhe të forta, për nxënësit dhe mbarë shoqërinë, si: “Duaje, mos e dhuno! Familjes i detyrohemi dashuri, jo dhunë!” dhe “Familja është krijuar për të qënë Parajsa jonë në tokë, jo ferr dhune.” Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan, Ardian Çipa, përcolli mesazhin: “Dhuna në familje ndodh pas dyerve të mbyllura, ju nxirreni në dritë, ne ndëshkojmë përgjegjësit!”.

Përmes këtij mesazhi, Çipa garantoi të pranishmit, dhe nëpërmjet tyre të gjithë qytetarët, se strukturat e Policisë e Shtetit janë të angazhuara maksimalisht për të trajtuar ligjërisht të gjitha rastet e dhunës dhe për të vënë përpara përgjegjësisë ligjore të gjithë dhunuesit e abuzuesit në familje.

Rastet e dhunës në familje nuk duhet të fshihen, por të denoncohen, të njoftohet në kohë Policia, si dhe të forcohet bashkëpunimi i të gjithë strukturave përgjegjëse, aktorëve dhe faktorëve , me qëllim që dhuna në familje të mos ngelet vetëm te forca shtrënguese e Policisë së Shtetit për t’u trajtuar, pasi kjo nuk është zgjidhja e plotë e problemit, por të vlerësohen edhe pasojat psikologjike dhe sociale të këtij fenomeni.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu