“Topi i Artë”, sot dita e Vinicius dhe Aitanës

0

FRANCE – Vinicius Junior dhe Aitana Bonmati do të jenë protagonistët e mbrëmjes së kësaj të hëne në ceremoninë e dorëzimit të “Topit të Artë” që do të mbahet në Theatre Du Chatelet të Parisit, pasi sulmuesi i Realit të Madridit dhe mesfushorja e Barcelonës janë ata që parashikohet të ngrenë trofeun më të lakmuar në aspektin individual.

Në futbollin e meshkujve, për herë të parë në listën e 30 kandidaturave nuk figurojnë as Lionel Messi e As Cristiano Ronaldo, kështu që Vinicius është në ‘pole position’ dhe nëse do të fitojë, do të bëhet i pari brazilian që ia del të ngrejë trofeun e “Topit të Artë” që nga viti 2007, kur fitoi Kaka.

Në futbollin e femrave, Aitana Bonmati është superfavoritja për të fituar dhe për të do të ishte viti i dytë radhazi, që do të merrte në duar “Topin e Artë”.

“Topi i Artë”, sot dita e Vinicius dhe Aitanës

Vinicius shihet si favoriti kryesor për të fituar Topin e Artë për faktin se ishte një prej protagonistëve kryesorë të Realit të Madridit në fitoren e kampionatit dhe Ligën e Kampioneve sezonin e kaluar, duke u shpallur edhe lojtari më i mirë i kompeticionit më të rëndësishëm evropian. Me përfaqësuesen braziliane gjërat nuk i shkuan mire, pasi Seleçao u eliminua në cerekfinale të Copa America.

“Topi i Artë”, sot dita e Vinicius dhe Aitanës

Kundërshtarët më të fortë të brazilianit në këtë garë janë të zakonshmit Kylian Mbappe dhe Erling Haaland, edhe pse në ndeshjet më me peshë nuk kanë qenë vendimtarë, ndërkohë që nuk harrojmë as Rodrin, ‘truri’ i mesfushës së Manchester City dhe Spanjës, me të cilën fitoi edhe Evropianin e Gjermanisë. Në podium mund të ngjitet edhe Jude Bellingham, fitues i Ligës së Kampioneve me Realin dhe nënkampion Evrope me Anglinë.

Përsa i përket “Trofeut Kopa”, për lojtarin e ri më të mirë, ka shumë pak dyshime që ai do t’i shkojë 17-vjeçarit të Barcelonës, Lamine Yamal.

Përsa i përket futbollit të femrave, Bonmati është favoritja për të triumfuar, por i gjithë podiumi mund të marrë ngjyrat blaugrana, pasi mesfushorja e Barcelonës mund të shoqërohet nga dy shoqet e saj të skuadrës, Alexia Putellas, fituese e “Topiut të Artë” në 2021 e 2022 dhe Salma Paralluelo. Kjo do të thotë, se nëse nuk do të ketë ndonjë çudi të madhe, për Barcelonën do të jetë i katërti vit radhazi që siguron “Topin e Artë” për të treguar supremacinë e klubit katalanas në futbollin e femrave.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu