Bajram dhe Rahime Skuraj janë ndër më të vjetrit në fshatin Gur i Bardhë. Bajrami është akshiu i fshatit sepse ai prodhonte djathë sipas një teknike shumë të veçantë vendase. Bashkëshortja e tij, Rahimja ndan për “Histori Shqiptare” në Tv Klan disa hollësi nga jeta e tyre e kaluar në këtë fshat.
Alma Çupi: Më ka bërë përshtypje që të gjitha gratë dhe vajzat në Gur të Bardhë vishen me brekushe.
Rahime Skuraj: Brekushe, kështu.
Alma Çupi: Si i thoni ju këtyre, brekushe? Nuk i thoni ndryshe?
Rahime Skuraj: Shërvallë.
Alma Çupi: Tani janë bërë në modë këto. I veshin për modë, a e di që i veshin për modë?
Rahime Skuraj: Për modë, ne kështu i kemi veshur qëkur ishim vajza që ishim në shkollë i vishnim me përparëse e fustane deri në këmbë.
Alma Çupi: Sa vjeç është plaku?
Rahime Skuraj: Moshatarë jemi.
Alma Çupi: Si jeni njohur?
Rahime Skuraj: Unë kam qenë në lagjen atje, ky ka qenë në lagjen këtu me gjedhët e bridhnim.
Alma Çupi: Jeni njohur vetë?
Rahime Skuraj: Po, po vetë. Bridhnim kur ishim në shkollë.
Alma Çupi: Jeni marrë me dashuri domethënë?
Rahime Skuraj: Jo, me llafet e prindërve.
Alma Çupi: E qartë, por kështu ishit parë, njiheshit.
Rahime Skuraj: Po, jemi parë, kemi qenë në shkollë.
Alma Çupi: Sa fëmijë keni bërë?
Rahime Skuraj: Pesë, jo si ju të rejat që shtrëngoheni e nuk bëni kalamaj.