Vllaznia përmbysi Elbasanin, me shkodranët që fituan 1-2 në “Loro Boriçi”. Goli i Qaqit në pjesën e parë nuk mjaftoi për skuadrën e Gvozdenovic për të marrë një rezultat pozitiv në ditën e debutimit të tij në pankinë, teksa në fraksionin e dytë, Dodaj dhe Çoba kthyen rezultatin në favor të tyre.
Shkodranët përforcojnë pozitat në vendin e katërt, sakaq në sfidën e radhës do të përballen me Laçin. Elbasani i vendit të pestë, luan ndaj Partizanit.
Trajneri i Elbasanit, Ivan Gvozdenovic analizoi humbjen 1-2 ndaj Vllaznisë, në ditën e debutimit të tij në pankinë.
“Në pjesën e parë ishim mirë dhe po fitonim 1-0. Pastaj ishte një shans nga Gjoni dhe nëse do shënonim do shkonte 2-0 dhe kushedi si do ishte ndeshja. Pas golit ishim në panik nëse do fitonim ndeshjen apo 1 pikë. Në pjesën e dytë nuk ishim në gjendje si në të parën. Nuk fituam topat e dytë, këtu ishte problemi. Dua të uroj Vllazninë për fitoren. Ne jemi mërzitur, por kemi një javë që duhet të punojmë. Të rregullojmë gjërat para Partizanit.
Vllaznia ishte me 4-2-4 dhe ata e ndërruan sistemin. Por nuk rrezikoi shumë në fillim e pjesës së dytë, pasi ne ishim 3 mbrapa, plus Dros 4. Lajthia dhe Hakaj ktheheshin dhe ishim 5 kundër 4. Te zëvendësimet… Qose ishte mirë, por ishte pak i lodhur. Idea ishte për të rifreskuar skuadrën. Ndoshta Leo mund të jetë më agresiv dhe të qëndronte më në pozitë. Këtu ishte pak problem, ai nuk kapi ritëm në lojë. Erdhi dhe goli i dytë nga krahu i Leos, por jo vetëm prej atij, ishim pa ekuilibër mbrapa.
Unë isha vetëm të premten dhe të shtunën në stërvitje, nuk e di ende plotësisht skuadrën. E njoh Elbasanin vetëm si kundërshtar. Unë e thash se isha shumë pak në stërvitje. Për mendimin tim kisha pak kohë të ndryshoja sistemin dhe ishte në rrezik. Elbasani ka luajtur gjithmonë me 3-5-2 dhe unë ndryshoj diçka për dy ditë, nuk e dija si do reagonin lojtarët dhe nuk e ndryshova. Sot Elbasani tregoi që edhe me këtë sistem ishte mirë deri në fillimin e pjesës së dytë.
Numri i lojtarëve të dëmtuar te Elbasani? Kjo është një arsye pse unë nuk ndryshova sistemin. Kam gjetur 6-7 lojtarë të dëmtuar”, është shprehur Gvozdenovic.