Vlorë/ Nuk po punonin pajisjet për identifikimin elektoral, komisionerët marrin vendimin: Kthehemi te avazi i vjetër

0

 

Teksa në të gjithë vendin prej 90 minutash ka nisur procesi i votimit të qytetarëve, dy janë llojet e problemeve të cilat kanë shkaktuar vonesa, e para paisjet e identifikimit elektronik të qytetarëve, dhe e dyta emrat e disa prej komisionerëve që nuk janë çuar nga KZAZ-të.

Kështu pas problemeve të raportuara në Gjirokastër dhe Tepelenë, në Selenicë të Vlorës bëjnë me dije burimet, në qendrat e votimit po bëhet identifikimi i zgjedhësve në mënyrë manuale.

Ky vendim është marrë nga vetë komisionetët, për shkak se nuk punonte paisja e identifikimit elektronik.

Sot qytetarët shqiptarë do t’iu drejtohen qendrave të votimit, për të zgjedhur partinë dhe kandidatin e tyre të preferuar, në listat e qarqeve, që dëshirojnë që ti përfaqësojnë në Kuvendin e 4 viteve të ardhshme.

Në Shqipëri janë 3,588,869 shtetas me të drejtë vote, edhe pse një pjesë e konsiderueshme e tyre janë emigrantë, të cilët edhe në këto zgjedhje nuk kanë të drejtën e votës në vendin ku punojnë dhe jetojnë.

Këto janë zgjedhjet e 10 parlamentare që mbahen në vendin tonë, që nga nisja e pluralizmit politik, ku njihen vetëm 2 raste të zgjedhjeve të parakohshme, ato që janë mbajtur në vitin 1992 dhe 1997.

Ndërkohë 7 procese normale zgjedhore janë (1991, 1996, 2001, 2005, 2009, 2013 dhe 2017). Vetëm zgjedhjet e vitit 1991 kanë qenë në mazhoritar. Zgjedhjet 1992-2005 janë zhvilluar me një sistem miks, 100 (115) zona në mazhoritar dhe 40 (25) mandate në proporcional.

Me ndryshimet kushtetuese të vitit 2008 u vendos kalimi në sistemin proporcional rajonal, me lista të mbyllura dhe me prag minimal zgjedhor 3%. Me ndryshimet kushtetuese të vitit 2020 u vendos ulja e pragut elektoral në 1% dhe aplikimi për herë të parë i listave të hapura proporcionale.

Numri i deputetëve ka ndryshuar vetëm në dy raste: më 1991 u ruajt numri i deputetëve i legjislaturave të fundit të periudhës komuniste (250 deputetë), si dhe më 1997 u ruajt sistemi i vitit 1996 me rritjen e numrit të deputetëve në proporcional nga 25 në 40 vende, për pasojë, parlamenti kishte 155 deputetë.

Prej ’96 numri i ulëseve në Kuvend është 140, ndërkohë që në këtë vit janë 12 parti dhe koalicione që garojnë në 12 qarqe të vendit, dhe në vetëm 4 prej tyre garojnë si të pavarur kandidatët që vijnë nga radhët e Vetëvendosjes, dhe Elton Debreshi, që vjen nga radhët e minatorëve dhe kandidon në qarkun e Dibrës.

Nëse kthehemi pas në kohë pjesëmarrja në zgjedhje ka ndryshuar mjaft, në krahasim me vitet e para të demokracisë. Në zgjedhjet e viteve 1991-1992, kur shteti kishte të dhëna të sakta të numrit të qytetarëve me të drejtë vote, janë regjistruar edhe shifrat më të vogla të numrit të zgjedhësve në listë dhe përqindjet më të larta të pjesëmarrjes në votime.

Gjatë viteve raportet janë përmbysur. Në zgjedhjet e fundit parlamentare më 2017 pjesëmarrja në zgjedhje ishte 46,76%. Nga mbi 3.4 milionë qytetarë të regjistruar në listën e zgjedhësve votuan 1.613.810 zgjedhës. Sipas INSTAT numri i popullsisë më 2017 ishte 2.876.591, shifër shumë më e vogël sesa numri 3.452.324 i zgjedhësve në listë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu