Vrasja e arkitektit italian, Roberto Mottura në Oiossasco, nga tre shqiptarë ka lënë në burg vetëm një prej tyre. Emirjon Margjini është i vetmi që është lënë në burg nga policia italiane.
Gjykata e Torinos liroi edhe të dytin nga tre anëtarët e bandës shqiptare, të arrestuar fillimisht dhe të shpallur fajtor për atentatin fatal. I Liruari i dytë është Mërgim Lazri, i dyshuar si bashkëpunëtor dhe pjesëmarrës në tentativën e grabitjes që përfundoi me vrasjen e Motturës.
Një javë më parë e njëjta gjë ishte bërë edhe për Flaogert Sylën. Nga tre të arrestuarit në fillim, tashmë pas hekurave ka mbetur vetëm Emirjon Margjini, i akuzuar se ka qëlluar arkitektin teksa ai po përpiqej të mbronte familjen e tij.
Menjëherë pas arrestimit, fjalët e Enrico Mottura, vëllait të Robertos ishin:
“Tani karabinierët më njoftuan se i kapën. Vrasësit e vëllait tim u arrestuan dhe tani shpresoj të kalbet në burg”. Dhe shtoi: “Unë me të vërtetë shpresoj se kjo histori ka ardhur në një pikë kthese. Shpresoj kështu për familjen e vëllait tim, për prindërit e mi, për të gjithë ne. Këta muaj kanë qenë të tmerrshëm”, shtoi ai për La Stampa. “Ata janë hajdutë. Një bandë hajdutësh që shkuan të armatosur. Por mendoni pak: për një vjedhje ata vrasin një person për të marrë nja katër gjëra. E gjithë kjo është e çmendur“, theksoi ai.
Arkitekti ndërroi jetë gjatë grabitjes që ndodhi në vilën e tij në rrugën Campetto 33, natën midis 9 dhe 10 qershorit 2021, nga sulmi që iu bë nga banda e shqiptarëve. I goditur në arterien femorale, arkitekti e humbi jetën para syve të gruas dhe djalit të tij 12 vjeç.