TIRANË- Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha ka komentuar vrasjen e 14-vjeçarit Martin Cani, 10 ditë pas ngjarjes së rëndë. Me anë të një postimi në Facebook, Hoxha ka mbështetur njoftimin e Policisë në lidhje me ngjarjen dhe sulmin verbal të policisë ndaj mediave që kanë trajtuar këtë rast. Po ashtu Hoxha ka deklaruar se konfirmon me përgjegjësi deklaratën e Policisë se nuk ka autorë të dytë në ngjarje.
Postimi i Hoxhës:
Mbështes plotësisht në frymë dhe në gërmë deklaratën e sotme të Policisë së Shtetit dhe i bashkohem thirrjes për mediat, që të ndalin valën e dizinformimit mbi autorësinë e vrasjes së nxënësit të shkollës “Fan Noli” dhe në përgjithësi mbi komunikatat e Policisë së Shtetit, siç bënë edhe në rastin e Pogradecit duke helmuar opinionin publik.
Konfirmoj edhe me përgjegjësinë time politike dhe ligjore vërtetësinë e komunikatave të Policisë së Shtetit mbi dinamikën e kësaj ngjarjeje. Tymnaja mbi ekzistencën e një autori të dytë, i cili paska goditur me një tjetër thikë viktimën është prodhim i papërgjegjshmërisë mediatike, që s’ka asnjë lidhje me të vërtetën dhe me interesin publik. Fatkeqësisht disa ekrane dhe portale, si edhe të zakonshmit e këtyre rasteve në tribunën e politikës apo të maskuar si qëndrestarë të pavarur rrugëve qorre të luftës për pushtet, po përsërisin atë që bënë me ngjarjen e Pogradecit.
Por fatmirësisht në këtë rast, ngjarja është e regjistruar nga kamerat e sigurisë, të cilat tregojnë qartë bllofin e madh të politizimit apo tregëtimit mediatik të vdekjes. Konstatoj se përpjekja për të shfrytëzuar politikisht dhe mediatikisht situata të tilla, rritet bashkë me të dhënat pozitive të punës së Policia e Shtetit. Histeria dizinformuese mesa duket motivohet nga rënia e përvitshme e numrit të vrasjeve dhe kur ndodh një tragjedi e tillë, të zakonshmit hidhen përpjetë sapo u vjen rasti! Sidoqoftë, e vërteta është e qartë si drita e diellit në komunikatat e Policisë së Shtetit, jo në lojën politike apo mediatike me vdekjen të atyre që ky popull ua ka marrë dorën prej kohësh. Ju lutem gjeni bashkëngjitur deklaratën e Policisë së Shtetit.