Vrasja e Pjerin Xhuvanit/ Avokatja e viktimës kundërshton kërkesat e të pandehurit: Paplekaj s’do gjykohet në Tiranë, bie në kundërshti me ligjin

0

TIRANË- Avokate Rezarta Tahiraj, përfaqësuesja e familjes së Pjerin Xhuvanit ka kundërshtuar hipotezën e transferimit nga Elbasani në Tiranë të procesit gjyqësor të Arbër Paplekajt që akuzohen për vrasjen e doktorit, ngjarje e ndodhur më 21 prill 2021. Tahiraj, që përfaqëson familjarët e viktimës në rolin e palës civile ka dërguar në Gjykatën e Lartë një dokumentacion të gjerë që kundërshton, pikë për pikë, të gjitha motivet që i pandehuri Arbër Paplekaj ka shkruar, nëpërmjet avokatit të tij, në kërkesën e transferimit të procesit nga Elbasani që është qyteti ku ndodhi krimi, drejt Tiranës.

“Pozicioni ynë është në kundërshtim total me kërkesën e transferimit të këtij procesi dhe kërkesat e tyre i vlerësojmë absolutisht të pabazuara në prova, përveçse të paarsyeshme dhe disa do të mund të rezultojnë madje në kundërshtim me ligjin,”- tha ajo.

Top Channel shkruan se duke iu referuar në veçanti hipotezës së kursimit ekonomik për Shtetin në rast se i pandehuri nuk do të ishte i detyruar të shkonte në Elbasan por të qëndronte në Tiranë për procesin, avokate Tahiraj ka shpjeguar në aktet e depozituara në Gjykatën e Lartë se kursimi i vërtetë për Shtetin dhe për të gjitha të pandehurit e tjerë është duke lënë të pandryshuar selinë procedurale, pra procesin për avokaten e Palës civile, është shumë e logjikshme dhe e dobishme, edhe për Shtetin, që të qëndrojë në Elbasan. Avokate Tahiraj në Gjykatën e Lartë ka shpjeguar edhe të gjitha motivet e tjera që çojnë në justifikimin e refuzimit të kërkesës të transferimit të këtij procesi në referim, edhe me hipotezat e rrezikut për të akuzuarin e vrasjes.

Dosja e vrasjes së Pjerin Xhuvanit është dërguar për gjykim. Pas disa shtyrjesh, në seancën e shtatë të mbajtur në Elbasan, është marrë vendimi pa prezencën e vetë të akuzuarit Arbër Paplekaj. Këtij të fundit iu rikonfirmua masa e sigurisë ‘arrest me burg’ ndërsa për dy ish-nëndrejtorët e policisë, Niko Palla dhe Albert Nushi, është lënë aktive e njëjta masë sigurie, “arrest shtepie”.

Si ndodhi vrasja?

Më 21 prill 2021, 4 ditë para zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit, në Elbasan u vra Pjerin Xhuvani, përkrahës i Partisë Socialiste. Paplekaj ishte pjesë e një “SMV”, strukture për Mbrojtjen e Votës e ngritur në Elbasan nga PD. Pas një sherri verbal pasi SMV dyshonte se Xhuvani ishte pjesë e një grupi që blinin vota, ndodhi vrasja ku mbeti i pajetë Xhuvani dhe u plagosën 4 persona të tjerë.

Të plagosurit ishin Paulo Vuksani, Emiljano Prenga, Eltjon Bodinaku dhe Xhensila Sota. Nga dita e arrestimit deri më sot në pranga është ish-oficeri i RENEA-s, Arbër Paplekaj i cili akuzohet se qëlloi për vdekje Xhuvanin dhe dhëndrin e tij, Eltjon Bodinakun. Nuk dihet ende kush qëlloi ndaj Emiljano Prengës dhe Paulo Vuksanit, të dy ish-policë. Paplekaj, një ish efektiv i RENEA u vetëdorëzua dhe pranoi krimin duke thënë se e kishte bërë goditjen pasi ishte qëlluar më parë me armë zjarri.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu