Gjykata e Shkallës së Parë Berat ka shpallur sot vendimin penal për shtetasin Fetah Marra, i akuzuar për vrasjen e 63-vjeçares Fatime Suli, ngjarje e ndodhur mbrëmjen e 20 Janarit 2022 në fshatin Kozare në qytetin e Kuçovës. Ka qenë trupi gjykues i përbërë nga treshja e gjyqtareve: Ardiola Çela, Albana Misja dhe Entela Gjoni, me gjyqtare kryesuese Ardiola Çela, që ka vendosur sot dënimin me 20-vite burgim për shtetasin Fetah Marra. Në vendimmarrjen e saj, trupi gjykues i qëndroi masës së dënimit të kërkuar nga prokurori Elidon Hysenaj. Vendimarrja e gjykatës u mbështet në provat e shqyrtuara dhe të administruara gjatë shqyrtimit gjyqësor të kësaj çështjeje. Marra mbërriti në Gjykatën e Beratit rreth orës 15:00 minuta nën masa të rrepta sigurie,ndërkohë që gjyqi i tij u krye me dyer të mbyllura. Po kështu,trupi gjykues ka dhënë dënimin me 1-vit burg edhe për shtetasin Izet Marra, i akuzuar për mos kallëzim krimi.
Avokati i familjes Suli, Ramiz Oboni, ka deklaruar se, janë të pakënaqur me vendimin dhe se do ta apelojnë atë. Sipas avokatit Oboni, Fetah Marra nuk duhet të dënohej vetëm për vrasje pasi ai fillimisht e ka përdhunuar viktimën dhe më pas e ka vrarë atë dhe e ka hedhur në kanal gjysmë të zhveshur.
Avokati Ramiz Oboni: Do apelojmë vendimin, Fetah Marra nuk duhet të dënohej vetëm për vrasje,e përdhunoi dhe më pas e vrau.
Si ndodhi ngjarja?
63-vjeçarja Fatime Suli u vra mbrëmjen e 20 Janarit 2022 në tokën e saj në fshatin Kozare në Kuçovë. Ajo u gjet e vdekur në një kanal, gjysmë e zhveshur dhe e mbuluar me gjethe e rrozga. Familjarët e saj e kishin kërkuar prej disa orësh dhe pasi nuk e kishin gjetur kishin njoftuar për ndihmë policinë. Vetëm pas rreth 1-orë kërkimesh gruaja 63-vjeçe u gjet pa shenja jete në një kanal,rreth 1 km larg banesës saj. Pas arrestimit,vrasësi i saj Fetah Marra e pranoi krimin dhe deklaroi asokohe se viktima i kishte 60 mijë lekë borxh nga mbarështimi i tufës së bagëtive. Në dëshminë e tij, autori Marra kishte thënë se kishte shkuar në arën e Fatimes për ti kërkuar borxhin, se ishte i pirë kur e ka kapur për fyti dhe se ajo ka ndërruar jetë në duart e tij. Viktima Fatime Suli kishte probleme të shëndetit mendor dhe trajtimi i saj me ilaçe ka vazhduar çdo ditë,deri në ditën që gjeti vdekjen.