Zbardhet pasuria e familjes Kajmaku! Gruaja e ish-kryebashkiakut me 1.9 mln dollarë në bankë: I kam kursime familjare

0

Merita Kajmaku deklaron edhe një apartament në Tiranë me sipërfaqe 114 m2 si dhe dy garazhe, me vlerë 128 mijë euro. Me të ardhura nga biznesi, Merita Kajmaku i referohet kompanisë ‘A.M.E 2020’, me objekt prodhim, rritje dhe tregtim të farërave, luleve, fidanëve e pemëve të ndryshme

Bashkëshortja e Agim Kajmakut, ish-kryebashkiakut të Vorës që u pranos me 20 kilogram kokainë, Merita Kajmaku ka deklaruar se ka rreth 1.9 milionë dollar kursime familjare e të ardhura nga biznesi. Gazetari Adriatik Doçi shkruan për Shqiptarja.com ka publikuar deklarimin e fundit të pasurisë të bërë nga Merita Kajmaku, vetëm disa muaj pasi i shoqi u zgjodh kryebashkiak i Vorës.

Merita Kajmaku deklaron edhe një apartament në Tiranë me sipërfaqe 114 m2 si dhe dy garazhe, me vlerë 128 mijë euro. Me të ardhura nga biznesi, Merita Kajmaku i referohet kompanisë ‘A.M.E 2020’, me objekt prodhim, rritje dhe tregtim të farërave, luleve, fidanëve, pemëve të ndryshme etj. Kompania është themeluar në vitin 2008 me kapital 100 mijë lekë, ku 49 % të aksioneve i kishte Agim Kajmaku dhe 51 % Merita Kajmaku.

Sipas dokummentit të publikuar, rezulton se në korrik të vitit 2019, para se të merrte mandatin si kryebashkiak, Agim Kajmaku ia ka shitur 49 % të aksioneve bashkëshortes së tij për 100 mijë USD. Vetë Agim Kajmaku deklaron një ndërtese dykatëshe me sipërfaqe 92 m2  dhe truall me sipërfaqe 300 m2 në Vorë, me vlerë 37 mijë USD,  tokë arë me sipërfaqe 5 875 m2 në Vorë me vlerë rreth 33 mijë USD, apartament 72.2 m2 në Kavajë me vlerë rreth 23 mijë USD, ndërtesë 346.5 m2 dhe truall 2 100 m2 deklaruar në vlerë 1 000 000 lekë ose 10 mijë USD. Gjithashtu, Agim Kajmaku deklaron llogari bankare 192 mijë euro si dhe 6.1 milionë lekë ose rreth 60 mijë USD. Deklaron edhe një makinë Audi Q7 me vlerë 35 mijë euro. Të gjitha këto pasuri, Agim Kajmaku thotë se i ka krijuar nga kursimet familjare si dhe nga të ardhurat nga biznesit, pra nga kompania me emër A.M.E 2020.

Ish-kryetari i Bashkisë së Vorës Agim Kajmaku u kap me 20 kg kokainë në Itali brenda vazove me lule që bleu për biznesin e tij, drogë që kap vlerën 1 milion euro. Kajmaku është arrestuar bashkë me nipin e tij, Edmond Kajmaku. Të dy kanë mohuar të kenë lidhje me drogën e sekuestruar, por një ngjitës që u është gjetur në çantë ka rezultuar se ishte i njëjtë me atë që ishin mbështjellë edhe pakot me kokainë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu