Policia ka mundur të vërë në pranga në Lushnje, 31 vjeçarin Agron Tanushi, i cili vrau gjatë pasdites së djeshme kunatën e tij Jetmira Hasani në zonën e Bathores në Tiranë.
Policia njofton se ka zhvilluar kontrolle në disa lagje të Lushnjes, nga ku më pas është bërë e mundur dhe lokalizimi dhe arrestimi i autorit.
Njoftimi i Policisë:
Vihet në pranga autori i vrasjes me armë zjarri të 34-vjeçares në Kamzë, Tiranë. Sekuestrohet arma e zjarrit pushkë me të cilën autori kreu vrasjen.
Si rezultat i kontrolleve të pandërprera, përdorjes së metodave speciale të hetimit dhe pamundësisë së fshehjes më gjatë autori i dyshuar i vrasjes ka rënë në prangat e shërbimeve të policisë së Lushnjës dhe të DVP Tiranë , pasi ishte i rrethuar pa asnjë mundësi largimi apo fshehjeje të mëtejshëme.
Menjëherë pas njoftimit të marrë për një ngjarje të ndodhur për shkak të marrëdhënieve familjare në orët e mbrëmjes të ditës së djeshme në Bathore, Kamzë, ku mbeti e vrarë me armë zjarri shtetasja J. H, Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr.5, Kamëz kanë ushtruar kontrolle të pandërprera si dhe kanë përdorur metodat proaktive për të bërë të mundur lokalizimin e vendndodhjes së autorit.
Si rezultat i trysnisë së ushtruar nga ana e Policisë duke kryer kontrolle të shtuara e të pandërprera në dhjetëra objekte, banesa, hotele, dhe godina të braktisura, informacioneve të grumbulluara, bashkëpunimit me familjarët, bashkëpunimit me Komisariatin e Policisë Lushnje dhe falë metodave proaktive mëngjezin e sotëm u bë lokalizmi i vendndodhjes së autorit , i cili fshihej në një lagje në Lushnje.
Pas disa orë kërkimesh, para pak minutash autori i dyshuar i ngjarjes, shtetasi A. T., 31 vjeç, u vu në pranga nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Lushnje dhe të DVP Tiranë që e kishin mbajtur të rrethuar zonën ku ishte lokalizuar vendndodhja e tij.
Ky shtetas si pasojë e një konflikti të çastit, për motive të dobëta ka vrarë me armë zjarri ish –kunatën e tij shtetasen J. H., 34 vjeçe. Në bashkëpunim me Prokurorinë, vijon puna për dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeve.
Tanushi e vrau Hasanin në banesën e përbashkët ku ata jetonin, pavarësisht se viktima ishte ndarë tashmë prej 5 vitesh ngë vëllai i autorit. Gjatë ditës së djeshme ata kishin pasur një konflikt mes tyre, ku kishte ndërhyrë edhe policia, nga ku më pas efektivët ishin larguar pak minuta para vrasjes, çka dëshmon dhe njëherë tjetër pafuqinë e shtetit për të vepruar në situata të tilla.