Një studim i profesorëve Drini Imami dhe Engjëll Shkreli, i financuar nga BERZH, vërteton se arroret (dhe veçanërisht gështenja) përbëjnë një burim të rëndësishëm të ardhurash për komunitetet ku bujqësia intensive nuk është e përshtatshme, dhe ku alternativat e punësimit janë të pakta. Sidomos gështenja përbën produktin arror më të rëndësishëm për sa i përket prodhimit dhe tregtisë ndërkombëtare.
Të dhënat tregojnë se gati 50% të eksportit të frutave nga Shqipëria dominohet nga gështenja. Në rang botëror, Shqipëria renditet e 9-a për eksportin botëror të gështenjës. Aktualisht prodhimi i gështenjës bazohet gjerësisht mbi masivet pyjore ekzistuese, organike. Disa pjesë të zonave të prodhimit janë certifikuar si organike, fakt i cili paraqet një potencial të qartë konkurrues për eksport.
Biznesi i gështenjës bëhet favorizues për shkak se Shqipëria ka prodhim organik që mund ta shesë me çmim të lartë në tregjet ndërkombëtare dhe nga ana tjetër, gështenja ka më pak kosto se frutat e tjera pasi rritet në pyje në gjendje të lirë dhe përgjithësisht kosto për mirëmbajtën e tyre janë më të ulëta se për llojet e tjera të frutave.
Shqipëria prodhon afërisht mbi 6 mijë tonë gështenja në vit. Rajoni i Kukësit është zona kryesore e prodhimit të gështenjës. Një masiv i madh prej 2000 ha gjendet në Tropojë (në qarkun e Kukësit).
Rajoni i Shkodrës, dhe përkatësisht Malësia e Madhe, është gjithashtu një zonë e rëndësishme për prodhimin e gështenjës, me një avantazh krahasues lidhur me cilësinë e varieteteve të Reçit, (duke përfshirë gjenotipet “Puka”). Falë cilësisë së lartë, rreth 50% e prodhimit eksportohet kryesisht drejt Italisë. Rrethet e Dibrës, Pukës, Shkodrës, Bulqizës, Librazhdit dhe Matit janë gjithashtu prodhues të rëndësishëm të gështenjës.