Gjiknuri – takim me strukturat e Partisë Socialiste në disa zona të qarkut të Elbasanit

0

I caktuar si Drejtues Politik i Qarkut të Elbasanit, Gjiknuri ka nisur një takim në disa zona të qarkut të Elbasani, me strukturat e Partisë Socialiste.

Gjiknuri është shprehur se e njeh këtë qark, pasi aty është zgjedhur për herë të parë deputet dhe se duhet çuar më tej puna e mirë e bërë nga Taulant Balla.

“Elbasani është një qark që e njoh, sepse këtu jam zgjedhur deputet për herë të parë. Një pjesë e origjinës familjare vjen nga ky qytet, gjë që më bën të ndjehem mirë.  Taulanti është një njeri që ka punuar shumë për Partinë Socialiste, mirëpo për të vijuar më tej duhet frymë bashkëpunimi mes gjithësecilit prej nesh,” – tha Gjiknuri.

 

Numri 2 i Partisë Socialiste u shpreh se mandati i tretë kërkon më shumë përgjegjësi, teksa vendosi theksin edhe tek realizimi i detyrave të ngarkuara në Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste, në mënyrë që të ruhet rezultati i zgjedhjeve të fundit dhe tek puna për të realizuar premtimet e bëra për qytetarët.

“Elbasani ka pasur një rezultat fantastik këtë fushatë, megjithatë zgjedhjet lokale janë afër dhe duhet shumë punë.

Mandati i tretë nuk do të jetë i lehtë, pavarësisht gjendjes në të cilën ndodhet Partia Demokratike.

Duhet të punojmë së bashku në mënyrë që premtimet që janë dhënë për Elbasanin të realizohen”,- shprehet Gjiknuri.