Krijohet kordinatori antikorrupsion/ Xhaçka: Mbledhja do kalojë në skaner marrëveshjet e firmosura

0

Qeveria ka miratuar vendimin për krijimin e kordinatorit kombëtar antikorrupsion, një strukturë e re e cila do të ketë përfaqësues në 47 institucione të vendit. Ulsi Manja tha se ky institucion do të bashkëpunojë ngushtë me SPAK dhe KLSH. Ndërkohë pas mbledhjes së këshillit të ministrave Olta Xhaçka njoftoi se takimi i qeverive Shqipëri-Kosovë do të zhvillohet në fund të nëntorit në Durrës

Lufta kundër korrupsionit do të ketë tashmë një kordinator kombëtar me përfaqësues në 47 institucione. Vendimi u zyrtarizua në mbledhjen e fundit të qeverisë ndërsa ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja shpjegoi mënyrën e funksionimit të këtij institucioni të ri.

“Kjo agjenci kundër korrupsionit do të ushtrojë veprimtarinë e vet parandaluese, do rishikojë të gjithë kuadrin rregullator dhe praktikat me shkallë të lartë korrupsioni, do të hartojë një strategji të qartë kundër korrupsionit, do të trajtojë të gjitha rastet korruptive. Gjithashtu, do të ketë veprimtari ndërgjegjësuese, për të sensibilizuar qytetarët për pasojat e korrupsionit në Shqipëri dhe efektet negative që ka ai në administratën publike për mbarëvajtjen e ekonomisë.”

Ulsi Manja thekson gjithashtu se Drejtoria Antikorrupsion do të mbështetet nga SPAK, dhe institucionet tjera dhe thelbi i saj do të jetë lufta kundër korrupsionit dhe një administratë publike efiçente.

“Kjo drejtori do të vetëpastrojë administratën nga punonjës që janë aty për agjenda personale. Do të kemi raste konkrete në ditët në vazhdim. Unë do ua komunikoj rastet konkrete të korrupsionit në institucionet shtetërore.””

Pas mbledhjes së qeverisë, ministrja e jashtme Olta Xhaçka bëri me dije se mbledhja e përbashkët Shqipëri-Kosovë do të mbahet në javën e fundit të nëntorit në qytetin e Durrësit.

“Janë në total 86 marrëveshje të lidhura. Marrëveshje që janë lidhur, nënshkruar dhe zbatuar, marrëveshje që janë zbatuar pjesërisht ose jo, dhe marrëveshje që do të lidhen në fund të nëntorit.”

Kjo do të jetë mbledhja e 7 e përbashkët mes dy qeverive të Tiranës dhe Prishtinës e kthyer në një traditë tashmë në periudhën e festive të nëntorit.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu