Gjykata bllokon planin e Joe Biden për vaksinimin e popullsisë (Arsyeja)

0

Një Gjykatë Apeli në Shtetet e Bashkuara ka bllokuar përkohësisht planet e presidentit Biden për t’u vënë bizneseve të mëdha vaksinimin ose tamponin si kriter pune.

 

Urdhri i presidentit amerikan, Joe Biden, që çdo kompani me mbi 100 punonjës të ketë kriter vaksinimin, është quajtur jo-kushtetues nga gjykatat.

 

Vendimi u apelua nga pesë shtete me shumicë republikane dhe nga një sërë grupesh biznesi e fetare, të cilat argumentuan se qeveria po abuzon me pushtetin në emër të pandemisë.

 

“Urdhri që merr fuqi ligjore më 4 janar ka probleme të rënda statutore dhe kushtetuese. Prandaj ai do të mbetet pezull deri në vendimin tjetër,” njoftoi Gjykata e njësuar e Apelit për shtetet e Teksasit, Luizianës dhe Misisipit.

 

Zyra për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë, e cila e ka propozuar urdhrin, tha se i qëndron atij dhe do ankimojë.

 

Rregulli për vaksinimin e detyruar ose për tamponin e përjavshëm aplikohet për mbi 80 milionë të punësuar nga afro 2 milionë kompani private në SHBA.

 

Ai u komentua nga presidenti Biden muaj më parë si një nevojë kundër Covid-19, sëmundjes që rrezikon shëndetin dhe sigurinë në punë.

 

Vendimi i gjykatës shihet si një goditje ndaj politikës së demokratit për ta shtrirë më gjerë hartën e vaksinimit, që presidenti thotë se është rruga më e lehtë për të dalë nga pandemia.

 

Amerika është vendi i prekur më rëndë nga Covid-19, me mbi 45 milionë të infektuar dhe me më shumë se 750 mijë viktima nga koronavirusi i ri.

 

 


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu