
Kuvendi i Shqipërisë do të mblidhet sërish ditën e sotme në orën 10:00 në një seancë maratonë. Dhe ditën e sotme do të vijojnë diskutimet për paketën e re fiskale dhe projektbuxhetin 2022, që është miratuar parimisht në komisionet parlamentare.
Seanca e djeshme zgjati gati 11 orë dhe u shoqërua nga debate e përplasje të forta mes qeverisë dhe opozitës. Kryeministri Rama tha se ky është një buxhet që nuk ka lënë asnjë sektor apo shtresë sociale pa mbështetje. Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Bashës akuzoi Qeverinë se e ka vënë buxhetin 2022 në shërbim të klientëve të saj.
Projektbuxheti i vitit 2022 i cili parashikon të mblidhen 536.8 miliardë lekë dhe shpenzime në vlerën e 637.6 miliardë lekëve do të jetë sërish tema e diskutimit mes deputetëve.
Ndryshimet e propozuara dhe buxheti pas miratimit në parim në Kuvend do të zbresë përsëri për tu shqyrtuar dhe miratuar nen për nen në komisionet parlamentare.