Reshjet e shumta të shiut po shkaktojnë probleme në shumë zona të Gjirokastrës. Përroi i Sopotit ka bërë që bllokohet rruga lidhëve mes dy lagjeve të qytetit duke u mbushur me inerte. Bashkia e Gjirokastrës ka dërguar dy mjete për pastrimin e tyre, por me rënien e shirave vazhdon të rritet dhe sasia e inerteve.
Njëri prej banorëve tregoi se janë bllokuar 80 familje si dhe rrezikohen dhe varrezat.
“Tani aktualisht një lagje është e bllokuar sepse reshjet kanë qenë të shumta gjithë natën. Janë rreth 80 familje andej dhe situata është shumë shqetësuese sepse kemi edhe varrezat në anën tjetër”, u shpreh një banor për “Top Channel”.
Një tjetër banor frikësohet se rruga mund të bllokohet totalisht nëse bie një tjetër shi i fortë.
“ Shira kanë rënë por situatë si kjo nuk kemi pasur më parë. Shiko si po ndryshon rrjedha. Edhe një shi tjetër dhe do çajë për në rrugë”, deklaroi një banor tjetër.
Ndërkohë, janë bllokuar këto rrugë në Gjirokastër: rruga drejt fshatit Zhulat, rruga drejt Golemit (e pakalueshme), lagjia Gërhot e bllokuar prej inerteve të përroit të Çullos. Ndërsa probleme janë shënuar në akset rrugore të Qestoratit, Luftinjës, Buzit, Ballabanit, malësive të Përmetit si dhe në Pogon e Zagori.