Kreu i grupit Taulant Balla deklaroi se Grupi Parlamentar Socialist do të rrëzojë Dekretin e Presidentit për kthimin e Buxhetit të Shtetit 2022, duke i hapur rrugë hyrjes në fuqi buxhetit më të madh në historinë e Shqipërisë.
Kjo deklaratë u bë ditën e sotme në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste. Sipas Ballës, Buxheti i Shtetit 2022 mundëson vazhdimin e financimit të reformave, sigurimin dhe përmirësimin e shërbimeve publike, forcimin e drejtësisë sociale dhe zgjerimin e paketës sociale për të gjithë shtresat në nevojë, si dhe sigurimin e investimeve të domosdoshme për zhvillimin e mëtejshëm të sektorëve strategjikë dhe ekonomisë së vendit.
Tre ditë më parë, Presidenti Meta ka kthyer për rishqytim në Kuvend ligjin për “Buxhetin 2022”. Kjo sipas presidentit, pasi Buxheti në tërësinë e tij është një plan financiar antisocial:
Ka mangësi shqetësuese të transparencës në lidhje me shpenzimet dhe politikat fiskale;
Paraqet problematikë shumë shqetësuese në lidhje me nivelin e borxhit publik, përdorimit dhe efektit ekonomik të tij;
Mungon mbështetja reale për sektorët e ekonomisë dhe në mënyrë të veçantë për bujqësinë;
Mungon mbështetja e nevojshme buxhetore për shtresat në nevojë për kurimin ndaj infeksionit Covid-19, të cilët trajtohen në shtëpi dhe jashtë sistemit spitalor.