Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj nuk e ka komentuar arrestimin e ish-ministrit të Mjedisit, Lefter Koka. I pyetur nga gazetarët për çështjen e inceneratorëve dhe nëse e mendon dorëheqjen për shkak se edhe emri i tij është përmendur në koncesionin e inceneratorit të Tiranës, Veliaj nuk ka pranuar të përgjigjet.
“Më lini të takoj njerëzit” – iu drejtua Veliaj gazetarëve të Ora News që e pyetën kryebashkiakun kur në fakt po hynte në festën e fundvitit me stafin e bashkisë në një nga restorantet e Tiranës.
Ish-ministri i Mjedisit Lefter Koka u vu në pranga ditën e djeshme bashkë me dy persona të tjerë pasi akuzohet për shpërdorim detyre, pastrim parash dhe korrupsion me urdhër të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), që mban firmën e prokurorit, Klodian Braho e gjyqtarit, Erion Bani. Ai u prangos në shtëpinë e tij në Durrës dhe me duar në xhepa e pa pranga u filmua teksa futej në Drejtorinë e Policisë në Tiranë.
Përveç Kokës, në pranga kanë përfunduar edhe dy persona të tjerë që akuzohen si bashkëpunëtorë në këtë skemë korrupsioni, të identifikuar me inicialet K.Z. dhe S.B.. Mbi të gjithë rëndon kryerja e 4 veprave penale: “Shpërdorimi i detyrës”, “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”.